RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Dialogu Kosovë-Serbi, Janjiq: Duhet të bisedohet edhe me shqiptarët e Luginës

dialogu-kosove-serbi,-janjiq:-duhet-te-bisedohet-edhe-me-shqiptaret-e-lugines

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, Dushan Janjiq, thotë se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e detyrueshme sipas së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë se është obligim politik dhe juridik.

Janjiq, duke folur për mediat serbe, vlerësoi se ata që udhëheqin negociatat ende nuk e kanë kuptuar se ky është obligim i tyre moral dhe social ndaj shoqërisë në Kosovë dhe ndaj Serbisë.

Ai përkujtoi se “formati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vendosur në bazë të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nuk mund të ndryshohet derisa rezoluta është e vlefshme”.

Siç transmeton “Danas”, Janjiq beson se formati i bisedimeve dypalëshe në kuadër të dialogut, me shumë përgatitje dhe humbje kohe, kaherë është shpenzuar, që është një nga arsyet e krizës dhe thekson se i gjithë procesi zhvillohet në mënyrë burokratike dhe pa ndjenjën e realitetit.

Sipas mendimit të tij, ndryshimi do të pasojë, gjë që shihet edhe nga përfshirja aktive e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.

Ai thotë se “do të ketë një grupim të temave dhe aplikimi i tryezave të rrumbullakëta ku do të duhet të dëgjohet mendimi i Kishës Ortodokse Serbe dhe propozimi i saj për një marrëveshje për trashëgiminë kulturore të serbëve”, transmeton Telegrafi.

Sipas tij do të duhet të bisedohet “me serbët e Kosovës, jo vetëm me Listën Serbe, por edhe me shqiptarët nga Serbia, në mënyrë që në fund të atij procesi të organizohet një konferencë ndërkombëtare”.

Janjiq vlerësoi se Kosova nuk është një konflikt i ngrirë, por një konflikt spiral, sepse gjithmonë ka një krizë që rritet dhe në të cilën numri i aktorëve dhe çështjeve zgjerohet.

“Kemi hyrë në një fazë të dominuar nga kriza e sigurisë me elementë të militarizimit ushtarak dhe paramilitar, që është një histori krejtësisht e ndryshme në krahasim me kohën kur Hashim Thaçi i drejtonte negociatat nga pala kosovare”, tha ai.

Janjiq tha se dilema Bashkimi Evropian (BE) apo Kosova “është një dilemë e shpikur që nga koha e Zoran Gjingjiqit, Boris Tadiqit dhe Vojisllav Koshtunicës”.

“Kjo dilemë është një keqpërdorim, sepse nuk mund të hyhet në BE me çështje të hapura kufijsh dhe pa të dhëna për numrin e saktë të banorëve”.

Në të njëjtën kohë, Janjiq mendon se çështja “është zgjidhur, sepse zyra e BE-së për statistika, Eurostat tregon të dhëna për Serbinë pa Kosovën”.

Sipas tij, çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB është krejtësisht e parëndësishme, “sepse Kosova në situatën aktuale, përmes Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mund të sigurojë statusin e vëzhguesit, siç bëri Palestina”.

“Kur Kosova do të jetë anëtare plotësisht e barabartë e OKB-së në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, do të duhet të zgjidhet përmes zbatimit të Marrëveshjes për Normalizim dhe përmes zgjidhjes së statusit juridik ndërkombëtar të Serbisë”, parashikoi Janjiq, transmeton Telegrafi.

Ai vlerësoi se Asociacioni i komunave Serbe nuk është një mënyrë e mirë për zgjidhjen e problemit, sepse Asociacioni nuk mund të marrë statusin e rajonit, gjë që e bën atë një “ide të keqe”.

Siç shpjegoi ai, “Partia Progresive Serbe e shpalli Asociacionin si ‘fitore kryesore’ dhe opinioni e fiksoi se kjo ishte gjithçka që Serbia mund të merrte”.

Për Janjiqin, thirrja e një referendumi për zgjidhjen e problemit të Kosovës është “marrëzi, sepse jeta e ka kaluar atë fazë”.

Ai vlerësoi se opozita në Serbi “nuk ka asgjë më të mençur për të thënë, prandaj po propozon referendum” dhe tregoi se “pret që Rusia ta fitojë luftën në Ukrainë, në mënyrë që pas 40 vitesh të shpallet sërish referendum”.

Janjiq paralajmëroi se rreziku i konfliktit është i lartë dhe real, “por jo si një konflikt i gjerë i armatosur, por në formën e akteve terroriste të lokalizuara dhe kontrollit të grupeve kriminale dhe paraushtarake mbi disa territore”.

“Aktualisht rreziku është më i madh nga pala serbe, prandaj bisedimet me NATO-n janë shumë të dobishme, sepse Serbia duhet t’i çmontojë strukturat e tilla, por kjo nuk do të thotë shpërbërja e mbrojtjes civile, por kthimi i serbëve në mbrojtje civile dhe në polici”, tha ai.

Related posts

Italia ndalon operacionet e anijes humanitare që shpëton emigrantët e parregullt

admin

“Tashmë kjo pjesë frymon ndryshe”/ Sveçla në veri, një ditë para zgjedhjeve

rezart morina

FSK hap konkurs për pranimin e 612 ushtarëve të rinj

admin