RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Disa janë bashkëkohës me Shekspirin: si ia del të jetojë kaq gjatë kjo specie?

disa-jane-bashkekohes-me-shekspirin:-si-ia-del-te-jetoje-kaq-gjate-kjo-specie?

Peshkaqeni i Grenlandës mund të jetojë deri në 400 vjet

Në pranverën e këtij viti, një zbulim i pazakontë në brigjet perëndimore të Irlandës tërhoqi vëmendjen e biologëve detarë. Për herë të parë, një peshkaqen i Grenlandës doli i ngordhur në breg, duke u dhënë shkencëtarëve një mundësi të rrallë për të studiuar nga afër një nga krijesat më misterioze të oqeanit.

Bazuar në madhësinë e tij, ekspertët vlerësuan se peshkaqeni ishte mbi 150 vjeç. Për njerëzit kjo do të ishte një moshë e jashtëzakonshme, por për këtë specie ai sapo kishte arritur pjekurinë seksuale.

Peshkaqeni i Grenlandës konsiderohet vertebrori me jetëgjatësinë më të madhe në Tokë, me një jetë mesatare rreth 400 vjet, ndërsa disa studime sugjerojnë se mund të jetojë edhe deri në 500 vjet.

Kjo do të thotë se disa nga individët që notojnë sot në ujërat e Arktikut mund të kenë lindur në epokën e Uilliam Shekspirit, shumë përpara Revolucionit Industrial apo shpikjes së makinës.

Për biologët, zbulimi ishte një mundësi e rrallë. Trupi i peshkaqenit u transportua me vinç në një laborator veterinar, ku specialistë nga institucione të ndryshme nisën autopsinë. Çdo organ u mat, u analizua dhe u morën mostra për studime të mëtejshme.

Edhe pse peshkaqeni nuk kishte shenja plagësh apo dëmtime nga rrjetat e peshkimit, shkaku i vdekjes mbetet ende i panjohur. Organet e tij dukeshin përgjithësisht të shëndetshme, çka e bën misterin edhe më të madh.

Një nga sfidat më të mëdha për shkencëtarët është fakti se dimë shumë pak për këtë specie. Askush nuk e di me siguri se ku çiftëzohet, ku lind të vegjlit apo sa pasardhës sjell gjatë jetës. Deri më sot është vëzhguar vetëm një femër shtatzënë.

Kjo mungesë informacioni e bën të vështirë edhe vlerësimin e numrit të tyre në natyrë dhe hartimin e strategjive për mbrojtjen e specieve, të cilat rrezikohen kryesisht nga kapja aksidentale në rrjetat e peshkimit.

Peshkaqeni i Grenlandës jeton në ujërat e ftohta të Atlantikut Verior dhe Oqeanit Arktik. Ai është një notar shumë i ngadaltë, por një gjahtar efikas. Ushqehet kryesisht me kufoma kafshësh detare, por është në gjendje të kapë edhe prenë e gjallë, përfshirë foka, duke përdorur një thithje shumë të fuqishme që e gëlltit prenë pothuajse të tërën.

Një tjetër veçori interesante është se mishi i tij është helmues për shkak të përqendrimeve të larta të substancave që funksionojnë si “antifriz” natyror, duke i lejuar të mbijetojë në temperaturat ekstreme të Arktikut.

Por ajo që ka habitur më shumë studiuesit janë sytë dhe zemra e tij. Për dekada besohej se peshkaqeni i Groenlandës ishte pothuajse i verbër, sepse shpesh sytë e tij mbulohen nga parazitë.

Megjithatë, një studim i publikuar këtë vit tregoi se retina mbetet funksionale edhe pas më shumë se një shekulli jete. Sistemi i tij vizual është i përshtatur për errësirën e thellësive oqeanike dhe duket se nuk pëson dëmtimet që zakonisht shfaqen me plakjen tek njerëzit.

Studiuesit besojnë se sekreti mund të lidhet me aftësinë e jashtëzakonshme të organizmit për të riparuar dëmtimet e ADN-së. Analizat gjenetike kanë zbuluar se disa gjene përgjegjëse për riparimin e ADN-së janë shumë më aktive sesa te llojet e tjera të peshkaqenëve.

Edhe zemra e tij sfidon atë që dihet për plakjen. Ajo paraqet shenja normale të moshës, si indet me plagë të vjetra, por vazhdon të funksionojë në mënyrë efikase edhe pas disa shekujsh. Ky fenomen sugjeron se kjo specie ka zhvilluar mekanizma biologjikë që e mbrojnë nga efektet e zakonshme të plakjes.

Për të përcaktuar moshën e saktë të peshkaqenit, studiuesit morën thjerrëzat e syrit për analizë me radiokarbon, ndërsa mostrat e muskujve do të studiohen edhe për gjatësinë e telomerëve, strukturat mbrojtëse në skajet e ADN-së që zakonisht shkurtohen me kalimin e viteve.

Edhe pse kërkimet do të zgjasin me muaj, apo edhe vite, shkencëtarët besojnë se ky ekzemplar mund të ofrojë përgjigje për një nga pyetjet më intriguese të biologjisë moderne: si arrin një kafshë të jetojë katër shekuj pa humbur funksionet jetësore?

Për momentin, përgjigjja mbetet një mister. Por çdo zbulim i ri mbi peshkaqenin e Grenlandës mund të na ndihmojë jo vetëm të kuptojmë më mirë jetën në oqeanet e thella, por edhe vetë procesin e plakjes tek njeriu. tesheshi.com

Related posts

VIDEO- Troket Viti i Ri 2026 në Zelandën e Re, spektakël fishekzjarrësh në Auckland

admin

Myftiu Tërnava mori pjesë në inaugurimin e projektit për qëndrimin ditor të të moshuarve në Vushtrri

Muhamet Ramadani

Qyteti i Guernikës dikur i shkatërruar nga nazistët u solidarizua me Gazën

admin