Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, gjatë një bisede telefonike kanë diskutuar për çështje rajonale dhe globale, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe, transmeton Anadolu.
Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë njoftoi se Erdogan në bisedën telefonike tha se marrëdhëniet mes dy vendeve po thellohen dhe theksoi se pas mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, të mbajtur në muajin janar, është hartuar një udhërrëfyes i ri për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Ai shprehu shpresën se ky vrull do të ruhet përmes takimeve që do të zhvillohen gjatë vizitës së tij të planifikuar në Uzbekistan, “në rastin e parë të mundshëm”.
Erdogan gjithashtu tha se në samitin joformal të Organizatës së Shteteve Turkike, të mbajtur në muajin maj në Turkistan, u miratuan vendime për forcimin e Këshillit të Pleqve.
Ai shtoi se Turqia shpreson të ndërtojë mbi këto vendime në samitin e ardhshëm të Organizatës së Shteteve Turkike, i cili do të mbahet në Ankara më 29 dhe 30 tetor.
Erdogan e ftoi homologun e tij uzbek të marrë pjesë në samitin klimatik COP31, që do të mbahet në Antalya më 11 dhe 12 nëntor dhe njëkohësisht e uroi atë me rastin e ditëlindjes së tij.

