Pa demokratizimin e Serbisë nuk është e mundur të bëhet asnjë normalizim i marrëdhënieve me Kosovën dhe as me vendet e tjera të rajonit.
Kështu thotë në kryetari i Akademisë Rajonale për Zhvillim të Demokracisë (Regional ADD) me bazë në Novi Sad, Balsha Bozhoviq në një intervistë për The Geopost, duke shtuar se kjo nuk mund të ndodhë derisa iu vihet flaka makinave në veri të Kosovës.
“Pa demokratizimin e Serbisë nuk është e mundur të bëhet asnjë normalizim i marrëdhënieve as me Kosovën dhe as me vendet e tjera të rajonit”, thotë Bozhoviq.
Ai thekson se presidenti serb Alekadar Vuçiq nuk është faktor stabiliteti në rajon.
“Thelbi është se normalizimi nuk mund të ndodhë kur makinave u vihet flaka [nga grupet kriminale] në veri të Kosovës të gjithë atyre që duan normalizim. Herët a vonë do të jetë plotësisht e qartë për të gjithë. Më vjen keq që do të humbasim sërish me këtë histori të bërjes së faktorit të stabilitetit nga Aleksandar Vuçiq dhe regjimi i tij, sepse ai nuk është faktor stabiliteti. Është një faktor paqëndrueshmërie”, shton ai.
Sipas Bozhoviqit, në Ballkanin Perëndimor është një minisituatë e asaj që po ndodh në Ukrainë apo Tajvan.
“Këtu në Ballkanin Perëndimor është thjesht një mini-situatë e asaj që po ndodh në Ukrainë apo Tajvan. Nuk mund të thuash se imperializmi është i gabuar atje dhe nuk është këtu. Është fjala për një model që ekziston dhe është i qëndrueshëm, mbi të cilin mbështeten të gjitha vendet perëndimore që janë zhvilluar dhe që sot udhëheqin Evropën dhe botën dhe ndikojnë në trendet botërore”, pohon ai.
I pari i Regional ADD-së jep parashikimin që regjimi i Vuçiqit nuk do të jetë në gjendje të mbijetojë për një kohë të gjatë.
“Nuk pres që regjimi në Serbi do të jetë në gjendje të mbijetojë për një kohë të gjatë, sepse jam i sigurt se tashmë, për një pjesë të madhe të rajonit, por edhe për një pjesë të madhe të Evropës, është plotësisht e qartë se ky regjim është jodemokratik dhe se ky regjim është absolutisht pro-rus, anti-perëndimor dhe burim destabiliteti dhe nuk mendoj se mund të mbijetojë për një periudhë të gjatë kohore”, parashikon kryetari i ADD-së.
Bozhoviq në fund thotë se humbja e Rusisë në Ukrainë është e pashmangshme.
“Humbja e Rusisë është e pashmangshme dhe është e rëndësishme pikërisht për shkak të ruajtjes së paqes në Evropë dhe botë, dhe nga ana tjetër, për të ardhmen e mëtejshme të të gjithë neve që ende dëshirojmë të jetojmë në njëfarë demokracie dhe lirie dhe jo në regjimet totalitare”, përfundon Bozhoviq.