Pavarësisht plagëve që nuk janë mbyllur ende nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës për më shumë se dy vjet dhe pavarësisht familjeve të ndara nga shkatërrimi, vrasjet, plagosjet dhe zhvendosja, Rula Muslah dhe Yasemin Abid përjetuan emocionin e diplomimit pasi vazhduan me vendosmëri arsimimin e tyre.
Rula dhe Yasemin, të cilat studiuan në Universitetin “Al-Aqsa” në Khan Younis, përfunduan arsimimin e tyre në Gaza, ku edhe nevojat themelore kanë qenë të pakta për dy vjet, dhe arritën të veshin rrobat e tyre të diplomimit.
Suksesi i dy vajzave të reja u bënë shembull i një brezi që përpiqet të shpëtojë të ardhmen e tyre nga rrënojat.
Në një deklaratë për Anadolu, Muslah, një banore e re e Gazës, shprehu gëzimin e saj duke thënë: “Diplomova sot. Kjo është një histori vendosmërie dhe sfide që vjen pas humbjes së nënës sime, motrës sime dhe disa anëtarëve të tjerë të familjes, pas luftës, tragjedisë dhe vështirësive”.
Lidhur me vështirësitë me të cilat u përball, ajo tha: “Ne i kapërcyem të gjitha sfidat, nga ndërprerjet e energjisë elektrike dhe internetit deri te mungesa e librave, fletoreve dhe madje edhe stilolapsave. Pavarësisht gjithçkaje që kemi kaluar, shpresa jonë ka mbetur gjithmonë gjallë”.
Muslah shpjegoi se nuk mundi të kontaktonte profesorët e universitetit të saj për një kohë të gjatë dhe se udhëtoi distanca të gjata për të arritur në pikat e shërbimit të internetit për të dorëzuar detyrat e saj dhe për të ndjekur mësimet.
– “U plagosa rëndë në sulme, kështu që më quajtën ‘dëshmore e gjallë’”
Ndërsa palestinezja Abid, duke festuar diplomimin e saj tha: “Duhej të diplomohesha në vitin 2023, por kisha ende disa mësime për të përfunduar. Sot, realizova një ëndërr që e kisha pritur prej kohësh”.
“U plagosa rëndë në sulme, kështu që më quajtën ‘dëshmore e gjallë’”, shtoi Abid.
“U plagosa në kokë, gjë që ndikoi në ekuilibrin, lëvizshmërinë dhe të folurit tim. Kjo vonoi diplomimin tim në semestrin e fundit, por vazhdova shkollimin tim. Sot po diplomohem pas dy viteve që lufta mori nga jeta ime”, tha ajo.
Abid shpjegon se një ditë pas diplomimit të saj përkon me përvjetorin e vdekjes së babait dhe vëllait të saj. Abid, e cila është nga Gaza veriore që i është nënshtruar shkatërrimit të gjerë izraelit, tha në deklaratën e saj se “Pata vështirësi të mëdha për shkak të ndërprerjes së internetit, por kjo nuk më ndaloi të studioja. Pavarësisht urisë dhe vuajtjeve, ne e vazhduam vendosmërinë tonë”.
Diplomimi i 150 studentëve nga Departamenti i Anglishtes i Fakultetit të Letërsisë të Universitetit “Al-Aqsa” u festua dje pas dy vitesh sulmesh.
Sipas Zyrës së medias të qeverisë së Gazës, 165 institucione shkollore dhe të arsimit të lartë janë shkatërruar plotësisht ndërsa 392 janë shkatërruar pjesërisht, në sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj Gazës. Sulmet e Izraelit ndaj Gazës kanë paralizuar sektorin e arsimit.
Ushtria izraelite, e cila ka kryer gjenocid dyvjeçar në Rripin e Gazës, ka vrarë 68.875 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 170 mijë të tjerë. Mijëra trupa palestinezë thuhet se janë varrosur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet izraelite.

