Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se dhjetëra emigrantë dyshohet se kanë humbur jetën pasi një varkë u gjet duke lundruar pa kontroll në jug të Ishujve Kanarie të Spanjës, pas 26 ditësh në det, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit spanjoll RTVE, varka thuhet se ishte nisur nga Gambia më 7 gusht me 128 persona në bord, ndërsa Shërbimi Spanjoll i Shpëtimit Detar tha se 44 persona u shpëtuan.
Më shumë se 80 persona dyshohet se kanë humbur jetën gjatë udhëtimit, përfshirë një foshnjë. Autoritetet e bazuan numrin e përllogaritur të viktimave në numrin e personave që besohet se ndodheshin fillimisht në bord dhe në dëshmitë e të mbijetuarve.
Shërbimi Spanjoll i Shpëtimit Detar tha se një nga avionët e tij zbuloi një “varkë të pasigurt që lundronte pa kontroll” dje rreth orës 18:40 me kohën lokale, rreth 65 milje detare në jugperëndim të ishullit Gran Kanarie.
Anija e shpëtimit “Guardamar Urania” arriti te varka para mesnatës dhe shpëtoi 44 burra me origjinë nga Afrika Sub-Sahariane. Në varkë u gjetën gjithashtu pesë trupa të pajetë.
Ekipet e shpëtimit nuk mundën t’i nxirrnin trupat për shkak të kushteve të vështira atmosferike, përfshirë erërat me shpejtësi rreth 20 nyje dhe dallgët që arrinin deri në 2,5 metra.
Garda Civile Spanjolle evakuoi me helikopter tre të mbijetuar pasi ata u gjetën në gjendje kritike.
41 të mbijetuarit e tjerë u dërguan në portin e Arguineguinit, ku mbërritën në orët e para të së enjtes.
Sipas Kryqit të Kuq Spanjoll, tre prej tyre më pas u transportuan me ambulancë në spitale, duke e çuar në gjashtë numrin e përgjithshëm të të mbijetuarve të shtruar në spital.
Incidenti është rasti më i fundit vdekjeprurës që përfshin migrantë që përpiqen të arrijnë Ishujt Kanarie përmes detit nga Afrika Perëndimore, një nga rrugët më të rrezikshme të migracionit drejt Evropës.

