Personi i akuzuar për sulmin ndaj shkrimtarit, Salman Rushdie ka deklaruar se ka lexuar vetëm dy faqe të librit të kontestuar të autorit, “Vargjet Satanike”.
Hadi Matar, 24 vjeç, është vetëdeklaruar i pafajshëm nga akuzat me të cilat përballet pas sulmit të javës së kaluar në Nju Jork, ku Rushdie mbeti i plagosur.
Në një intervistë të dhënë nga qelia për “New York Post”, Matar është shprehur se e kishte sulmuar shkrimtarin me argumentin se është një person që ka ofenduar Islamin.
“Nuk më pëlqen ai njeri dhe nuk mendoj se është një njeri i mirë. Ai është dikush që ka sulmuar Islamin, ka sulmuar një besim”, ka thënë agresori.
Matar nuk ka konfirmuar nëse veprimi i tij ishte nxitur nga dekreti i regjimit të ajatollahëve mbi kokën e shkrimtarit, i lëshuar në fund të viteve ’80.
Megjithatë, ai ka theksuar se e vlerëson shumë ajatollahun. “E respektoj ajatollahun. Mendoj se është një njeri i mrekullueshëm, por vetëm kaq do të them për të”, ka thënë 24-vjeçari.
Salman Rushdie e publikoi novelën e tij të kontestuar në vitin 1988, duke shkaktuar zemërim në radhët e myslimanëve, që e konsideronin përmbajtjen e tij si blasfemi.
Më tej në rrëfimin e tij, Matar është shprehur i habitur se si Rushdie i mbijetoi sulmit. Aktualisht ai po mbahet në një burg të shtetit të Nju Jorkut, në pritje të seancës së radhës gjyqësore. /euronews