Egjipti tha të shtunën se po zhvillohen hetime për incidentin që kishte në shënjestër dy anije në një port, me qëllim identifikimin e autorëve, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Egjiptit tha se disa media të huaja kohët e fundit kanë publikuar “raportime të pasakta dhe të rreme” lidhur me incidentin.
“Hetimet vazhdojnë ende për të përcaktuar të gjitha rrethanat që lidhen me incidentin dhe për të identifikuar palën përgjegjëse”, tha ministria.
Ajo u bëri thirrje mediave të huaja dhe korrespondentëve me bazë në Egjipt dhe jashtë tij që të verifikojnë informacionet lidhur me çështjet egjiptiane dhe incidentin, si dhe të mbështeten në burime zyrtare.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi tha të enjten se autoritetet po vazhdojnë hetimet për sulmin me dron që goditi dy anije gazi në Portin e Damietës, ndërsa bëri thirrje për ulje të tensioneve në rajon për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë.
Të mërkurën në mbrëmje, Ministria egjiptiane e Naftës njoftoi për një zjarr në dy anije gazi në port, pa specifikuar shkakun. Kompania britanike e sigurisë detare Ambrey raportoi se një sulm me dron kishte vënë në shënjestër një strukturë lundruese për ruajtjen e gazit natyror të lëngshëm (LNG), në pronësi amerikane dhe me flamur të Ishujve Marshall, në këtë port.
I pyetur për sulmin, presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve se SHBA-ja do t’i përgjigjet Iranit “shumë fuqishëm”.

