RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Escobar: SHBA-ja do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në veri

escobar:-shba-ja-do-t’i-njohe-rezultatet-e-zgjedhjeve-ne-veri

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, teksa u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet kosovare.

Në një intervistë dhënë mediumit serb “Tanjug”, ku u pyet nëse zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë legjitime në rast se serbët i bojkotojnë ato, Escobar ka thënë se fakti që disa parti politike vendosin t’i bojkotojnë zgjedhjet nuk përcakton rezultate të tyre.

“I kam bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por duhet patjetër të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në institucione”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se SHBA-ja po kërkon që serbët të kthehen në Polici, sepse nuk mund të ketë një komunitet që nuk ka shërbime komunale dhe që nuk ka forcë policore.

“Kemi kërkuar që serbët të kthehen në institucione që të mos ketë arsye që shqiptarët etnikë të jenë të pranishëm atje. Do të nevojitet një kompromis nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë ai.

Escobar më tej ka theksuar se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë, të cilët duan të integrohen, duhet të ndalen.

“Djegia e automjeteve dhe patundshmërive dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, prandaj mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, është shprehur ai.

Escobar tutje ka theksuar se SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia të ofrojnë një kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe propozimet fillestare për formimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

“Ne presim propozime fillestare për formimin e Asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, raportohet të ketë thënë Escobari për “Tanjugun”.

“Përfaqësuesit e BE-së kanë bërë disa propozime që janë në përputhje me rregullat e BE-së dhe kushtetutshmërinë e Kosovës, por të dyja palët duhet të vendosin se çfarë është më e mira për ta”, ka përfunduar Escobar.

Related posts

Kremlini nuk sheh mundësi për një takim Putin-Zelensky

admin

Pelosi: Ne nuk do ta braktisim Tajvanin

admin

Qyteti kroat mbulohet nga tymi, zjarri shkrumbon 700 hektarë

admin