RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Fidan: Turqia dhe Ukraina do të vazhdojnë të thellojnë partneritetin strategjik

fidan:-turqia-dhe-ukraina-do-te-vazhdojne-te-thellojne-partneritetin-strategjik

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan ka deklaruar se Turqia dhe Ukraina do të vazhdojnë të forcojnë partneritetin e tyre strategjik pas asaj që ai e cilësoi si një vizitë “tejet produktive” në Kiev, transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetin social amerikan X, Fidan tha se vizita u zhvillua në një kohë kur partneriteti strategjik mes dy vendeve “po forcohet çdo ditë e më shumë”.

Ai falënderoi homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha dhe zyrtarët e tjerë ukrainasë për mikpritjen, duke bërë të ditur se takimet me presidentin Volodymyr Zelenskyy, kreun e Zyrës Presidenciale, Kyrylo Budanov dhe ministrin Sybiha u përqendruan në marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet më të fundit në luftën Rusi-Ukrainë.

Fidan tha se është i kënaqur që bashkëpunimi mes dy vendeve vazhdon të thellohet pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm.

Ai e cilësoi marrëveshjen e tregtisë së lirë, e cila u miratua nga parlamenti i Ukrainës pak para vizitës, si “një etapë të rëndësishme” që do të krijojë mundësi të reja për komunitetet e biznesit të të dy vendeve dhe do ta ngrejë partneritetin ekonomik në një nivel më të lartë.

Fidan tha se gjatë vizitës Turqia gjithashtu riafirmoi mbështetjen e saj për “pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial” të Ukrainës. “Si Turqi, ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo nismë që do t’i rikthejë palët në tryezën e negociatave dhe do të kontribuojë në arritjen e një paqeje të qëndrueshme”, tha ai.

Fidan gjithashtu u takua në Kiev me liderin kombëtar të tatarëve të Krimesë, Mustafa Abdulcemil Kirimoglu dhe kryetarin e Mexhlisit të Tatarëve të Krimesë, Refat Cubarov, për të diskutuar gjendjen e komunitetit të tatarëve të Krimesë.

“Mbrojtja e të drejtave të tatarëve të Krimesë dhe ruajtja e identitetit të tyre kulturor do të mbeten gjithmonë një prioritet për Turqinë”, tha kryediplomati turk. Ai shtoi se ishte i nderuar që gjatë vizitës mori një dekoratë shtetërore nga presidenti Zelenskyy, duke falënderuar autoritetet ukrainase për këtë vlerësim.

Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të forcojë miqësinë e saj të kahershme dhe partneritetin strategjik me Ukrainën “mbi bazën e besimit të ndërsjellë dhe interesave të përbashkëta”, në përputhje me vizionin e presidentëve të të dy vendeve.

Related posts

Ushtria izraelite bastis zona në Kunejtra të Sirisë dhe ngre pikë kontrolli

Hevzi

Analiza e DW: Trupa perëndimore në Ukrainë, a po thyhen tabutë? Vihet në pikëpyetje vija e kuqe

admin

Raisi: “Nuk do të mbetet asgjë” nga Izraeli nëse sulmon përsëri Iranin

Muhamet Ramadani