Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë (FMSH) që janë në konflikt me ushtrinë në Sudan njoftuan se janë të gatshëm që ushtarët egjiptianë të cilët ndodhen në vend në kuadër të stërvitjeve ushtarake, t’i dorëzojnë në vendin e tyre kur të normalizohen kushtet e sigurisë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë vihet në dukje se ushtarët egjiptianë janë të sigurt dhe theksohet se “Ushtarët egjiptianë do t’i dorëzojmë kur të normalizohet situata e sigurisë”.
Në një deklaratë nga ushtria egjiptiane, bëhet e ditur se ushtarët egjiptianë ndodheshin në vend në kuadër të stërvitjeve ushtarake të planifikuara për t’u mbajtur me ushtrinë e Sudanit dhe se janë në koordinim me autoritetet përkatëse për garantimin e sigurisë së ushtarëve.
Po ashtu në deklaratë u bë thirrje për garantimin e sigurisë së forcave të Egjiptit që ndodhen në Sudan.
– Çfarë ka ndodhur?
Dje në kryeqytetin Khartoum dhe në qytete të ndryshme të Sudanit filluan përleshje të armatosura mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë.
“Mosmarrëveshja retorike” e përjetuar prej disa muajsh mes ushtrisë dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë u shndërrua në një konflikt të nxehtë mes dy forcave.
Në mediat sociale janë bërë pretendime se disa ushtarë egjiptianë janë marrë peng në aeroportin “Marawi” që ndodhet në veri të Sudanit.