Qeveria franceze kërkoi nga junta në Niger që të garantojë sigurinë e ambasadës dhe të diplomatëve gjatë protestave kundër Francës që do të zhvillohen sot në kryeqytetin Niamey, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga ministria e jashtme është bërë e ditur se sot në Niger janë bërë thirrje për mbajtjen e protestave.
Në deklaratë tërhiqet vëmendja se mbrojtja e diplomatëve dhe përfaqësive garantohet në kuadër të ligjit ndërkombëtar dhe Konventës së Vjenës. “Franca kërkon nga forcat e sigurisë së Nigerisë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të garantuar plotësisht sigurinë e përfaqësisë dhe të objekteve të huaja diplomatike në Niamey”, theksohet në deklaratë.
Në protestat e mbajtura më 30 korrik në vend, sulmi kundrejt ambasadës së Francës në Niamey u krye në mënyrë të organizuar, theksohet në deklaratën ku tërhiqet vëmendja se kjo situatë dënohet edhe njëherë në mënyrë të ashpër nga ana e Parisit.
– Franca vazhdon të evakuojë qytetarët e saj nga vendi
Në një deklaratë tjetër të ministrisë, njoftohet se deri më tani 4 avionë janë ngritur për evakuimin e qytetarëve në Niger.
Për evakuimet do të realizohet edhe fluturimi i pestë, informohet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur që deri tani me avionë në Francë janë transportuar 992 persona, 560 prej të cilëve francezë.
Po ashtu theksohet se në mesin e personave në fjalë, përveç francezëve shumica e tyre janë shtetas evropianë.
– Mbështetësit e grushtit të shtetit vendosën në objektiv ambasadën franceze
Mijëra protestues që u mblodhën më 30 korrik para ambasadës së Francës në Niamey, vendosën në objektiv dhe dëmtuan ndërtesën e ambasadës.
Pas grushtit ushtarak më 26 korrik në Niger, qeveria e Parisit deklaroi se ka pezulluar të gjithë mbështetjen buxhetore dhe ndihmat financiare ndaj këtij vendi.
– Grushti i shtetit në Niger
Në Niger, presidenti Mohamed Bazoum u arrestua nga elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale më 26 korrik dhe atë mbrëmje ushtria njoftoi marrjen e pushtetit.
Gjenerali Abdurrahman (Omar) Tchiani, komandanti i Regjimentit të Gardës Presidenciale, më 28 korrik njoftoi marrjen e drejtimit të juntës së emërtuar Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP) dhe kalimin e tij në krye të qeverisë së përkohshme.