RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Fuqia e madhe që përgatitet për luftë pa asnjë të shtënë…

fuqia-e-madhe-qe-pergatitet-per-lufte-pa-asnje-te-shtene…

Kina po zgjeron ndikimin e saj edhe me flotën e peshkimit

Deti i Kinës Jugore është kthyer në një nga vatrat më të rrezikshme të tensioneve gjeopolitike në botë. Edhe pse nuk ka shpërthyer një luftë e mirëfilltë, Kina po zhvillon një strategji afatgjatë për të vendosur kontroll pothuajse të plotë mbi këto ujëra, duke përdorur mjete që shkojnë përtej ushtrisë tradicionale.

Një nga incidentet më domethënëse ndodhi gjatë dimrit të kaluar, kur anije të rojës bregdetare kineze përdorën topa uji me presion të lartë kundër dy mjeteve filipinase që transportonin furnizime për një garnizon ushtarak në ishullin Second Thomas Shoal.

Sulmi dëmtoi kabinat, sistemet e komunikimit dhe radarët e anijeve, duke i bërë ato praktikisht të paafta për të lundruar, pa u përdorur asnjë armë zjarri.

Ky është vetëm një shembull i asaj që ekspertët e quajnë “zona gri” mes luftës dhe paqes. Kina synon të shmangë përshkallëzimin në një konflikt të hapur, por njëkohësisht të imponojë faktet në terren përmes presionit të vazhdueshëm.

Përveç topave të ujit, përdoren pajisje akustike me frekuencë të lartë, manovra përplasëse dhe bllokime detare, të gjitha pa e kaluar kufirin formal të luftës.

Pekini pretendon sovranitet mbi rreth 90 për qind të Detit të Kinës Jugore, megjithëse një gjykatë ndërkombëtare në Hagë i hodhi poshtë këto pretendime një dekadë më parë.

Megjithatë, vendimi nuk e ka ndryshuar situatën në terren. Një nga armët më të pazakonta të Kinës është flota e saj civile.

Milicia Detare kineze përbëhet nga mbi 350 anije peshkimi të ndërtuara me çelik, të projektuara për përplasje dhe rezistencë ndaj goditjeve. Shumë prej tyre nuk merren fare me peshkim, por përdoren për të forcuar pretendimet territoriale të Pekinit.

Në mars të këtij viti, mbi 180 anije u lidhën me kabllo të trasha për të krijuar një pengesë lundruese pranë ishullit Whitsun Reef.

Kapitenët e këtyre mjeteve shpërblehen bujarisht nga shteti, me subvencione të konsiderueshme për karburantin dhe bonuse ditore, me kushtin që të qëndrojnë shumicën e vitit në ujërat e kontestuara.

Një tjetër element i strategjisë kineze është ndërtimi i ishujve artificialë. Midis viteve 2013-2016, anije gjigante gërmuese krijuan sipërfaqe të reja toke mbi ishujt koralorë në arkipelagët Spratly dhe Paracel.

Mbi to ishuj u ngritën pista avionësh, porte ushtarake, sisteme radarësh, bateri raketash dhe hangarë të fortifikuar. Këto baza funksionojnë si “aeroplanmbajtëse të palëvizshme”, duke i lejuar Kinës të monitorojë dhe kontrollojë një hapësirë të madhe detare.

Sipas vlerësimeve, disa prej tyre strehojnë edhe qendra të avancuara për mbledhjen e informacionit dhe operacione të luftës kibernetike.

Dhe pas një pauze disa vjeçare, Pekini ka rifilluar zgjerimin e këtyre strukturave. Vetëm brenda një viti, në Antelope Reef është krijuar një sipërfaqe e re toke me përmasa të krahasueshme me qendrën historike të Romës.

Filipinet kanë frikë se objektivi i radhës do të jetë Scarborough Shoal. Nëse Kina do ta shndërronte edhe atë në një bazë ushtarake, do të përfundonte një trekëndësh strategjik që do t’i jepte mundësinë të monitoronte pothuajse çdo lëvizje detare në rajon, përfshirë patrullimet e Flotës së Shtatë amerikane.

Kontrolli i kësaj zone ka rëndësi jetike edhe për një arsye tjetër. Përmes ngushticës së Malakës kalon rreth 80 për qind e importeve kineze të naftës dhe afro dy të tretat e tregtisë detare të vendit.

Në rastin e një konflikti për Tajvanin, mbajtja nën vëzhgim e kësaj rruge do të ishte vendimtare për sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Kinës.

Megjithatë, Pekini nuk mbështetet vetëm te presioni ushtarak. Ai është partneri më i madh tregtar për shumicën e vendeve që lagen nga Deti i Kinës Jugore, dhe përmes lidhjeve ekonomike e komuniteteve të mëdha kineze që jetojnë në rajon, përpiqet të zbusë kundërshtitë politike.

Kjo ndërthurje e fuqisë ekonomike, mjeteve civile dhe kapaciteteve ushtarake tregon se Kina po përgatitet për një konflikt të mundshëm pa qëlluar ende asnjë plumb.

Është një strategji që synon të fitojë terren gradualisht, duke ndryshuar ekuilibrat gjeopolitikë përpara se të shpërthejë ndonjë luftë e hapur. tesheshi

Related posts

Një histori gjenialiteti nga Gaza: kur çnjerëzorja sfidohet dhe me…fantazi!

RTI

Valë frike në tregjet globale, aksionet në mbarë botën pësojnë rënie të vlerës së tyre! Pasiguri në ekonominë e SHBA

admin

Nënshkruhet Lista e re e Barnave Esenciale, 70 produkte të reja pjesë e saj

Muhamet Ramadani