Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (LPBG) i Armatës së Maqedonisë së Veriut është vlerësuar si i “gatshëm për luftë për kryerjen e misionit të tij” pas përfundimit të procesit të vlerësimit të realizuar sipas standardeve të NATO-s, transmeton Anadolu.
Vlerësimi u krye sot në kampin e trajnimit “Pepelishte”, pas realizimit të aktiviteteve të stërvitjes kombëtare fushore “BLESOK 26” dhe përfundimit të ngjarjes së fundit nga lista kryesore e ngjarjeve dhe incidenteve.
Sipas njoftimit nga ushtria e vendit, ekipet vlerësuese dhe monitoruesit e NATO-s konfirmuan se njësia i përmbush të gjitha standardet e parashikuara për komandat dhe njësitë tokësore të Komandës së Përbashkët për Operacione të NATO-s.
Monitoruesi i lartë i NATO-s, kolonel Hristos Stamatiu nga Korpusi i NATO-s për Dislokim të Shpejtë – Greqi (NRDC-GR), theksoi se procesi i vlerësimit u realizua në mënyrë shumë profesionale dhe kompetente, duke shtuar se anëtarët e ekipit vlerësues ishin plotësisht të njohur me metodat dhe procedurat përkatëse të NATO-s.
Ndërkohë, drejtori i ekipit vlerësues, nënkolonel Goran Kimov, deklaroi se është nder dhe krenari që LPBG-ja e përfundoi vlerësimin me rezultatet më të larta, duke theksuar se pjesëtarët e njësisë treguan rezultate të shkëlqyera dhe përmbushën të gjitha kriteret dhe standardet e vlerësimit.
Në ceremoninë e shpalljes së vlerësimit mori pjesë edhe komandanti i Brigadës së Parë të Këmbësorisë, gjeneral brigade Dejan Çipllakovski, i cili falënderoi pjesëmarrësit në ushtrim dhe monitoruesit e NATO-s për profesionalizmin e treguar gjatë kryerjes së detyrave.
Ushtria theksoi se me këtë vlerësim të suksesshëm, Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë ka konfirmuar nivelin e lartë të gatishmërisë luftarake dhe ndërveprueshmërisë me aleatët, duke kontribuuar në forcimin e kapaciteteve të Armatës dhe NATO-s.

