Ministria e Jashtme e Algjerisë njoftoi se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres do të marrë pjesë si mysafir nderi në samitin e Ligës Arabe, i cili do të mbahet në nëntor në Algjeri, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme në deklaratën e saj tha se ministri i Jashtëm algjerian, Ramtane Lamamra, i cili ndodhet në New York në kuadër të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u takua me kreun e kësaj organizate, Guterres.
Gjithashtu u theksua se me këtë rast ministri Lamamra i dorëzoi ftesën Guterresit për të marrë pjesë në samitin e Ligës Arabe në Algjeri si mysafir nderi.
Kreu i OKB-së pranoi ftesën, duke shprehur mirënjohjen e thellë që do të ketë mundësinë të marrë pjesë në takim.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se Guterres, gjatë takimit me Lamamra, vlerësoi kontributin e shkëlqyer të Algjerisë në OKB.
Samiti i Ligës Arabe, i cili nuk u mbajt në vitet 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë së COVID-19, do të mbahet në Algjeri më 1 dhe 2 nëntor.
Liga Arabe është një organizatë rajonale e vendeve arabe në dhe rreth Afrikës së Veriut, Bririt të Afrikës dhe Azisë Jugperëndimore.
Liga Arabe, e cila u themelua në Kajro më 22 mars të vitit 1945 dhe aktualisht ka 22 vende anëtare.