Shoqata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (IGFM) ka denoncuar situatën për të burgosurit politikë në Bjellorusi, duke e konsideruar atë si “katastrofike”.
IGFM kërkoi akses për mjekë të pavarur për të vizituar anëtaren e burgosur të opozitës Maria Kolesnikova.
40-vjeçarja është një nga anëtaret më të njohura të opozitës në vendin e Evropës Lindore dhe është dënuar me 11 vite burg në shtator të vitit 2021.
Sipas IGFM, aktualisht janë rreth 1400 të burgosur politikë në Bjellorusi.
IGFM, e cila është e vendosur në qytetin gjerman të Frankfurtit, i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme gjermane për të mbështetur kërkesën e tyre.
Përveç kësaj, ata kërkuan që babai dhe avokati i saj të lejoheshin ta vizitonin.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkroi të mërkurën në Twitter se regjimi në Minsk duhet të garantojë shëndetin e Kolesnikova dhe ta lirojë atë.
“Angazhimi i saj ndaj demokracisë nuk është një krim”, tha Baerbock në Twitter. /atsh