RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

IPK-ja rekomandon suspendimin e tetë policëve në dy raste të ndara

ipk-ja-rekomandon-suspendimin-e-tete-policeve-ne-dy-raste-te-ndara

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë dhe dy të tjerëve në Gjilan, nën dyshimin për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit të IPK-së, rasti në Gjakovë lidhet me një ngjarje të 19 shkurtit, kur një qytetar ishte njoftuar për një gjobë për parkim të veturës në vend të ndaluar. Qytetari kishte shkuar në stacionin policor për të marrë tiketën për kundërvajtje, por pas një bisede me zyrtarët policorë ishte arrestuar si i dyshuar për kanosje.

IPK bën të ditur se pas pranimit të ankesës kanë nisur veprimet hetimore.

“Hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacioneve dhe ankesës për këtë rast kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore, përfshirë analizimin e shkresave të rastit, raporteve të zyrtarëve policorë, analizimin e një audio-incizimi etj.”, thuhet në njoftim.

Pas analizës së provave, dyshohet se raportet e disa zyrtarëve policorë nuk përkojnë me përmbajtjen e incizimit audio dhe mund të mos jenë të vërteta.

“Hetuesit e IPK-së janë konsultuar me Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe veprimet tjera hetimore do të ndërmerren ndaj gjashtë zyrtarëve policorë në procedurë të rregullt në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, në një rast tjetër në Gjilan, dy zyrtarë policorë po hetohen në procedurë të rregullt nën dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

IPK ka theksuar se hetimet për të dyja rastet do të vazhdojnë në koordinim me prokuroritë përkatëse, ndërsa rekomandimi për suspendim është bërë me qëllim të sigurimit të integritetit të procesit hetimor.

Related posts

Hezbollah: Izraeli pushtoi një fshat të tërë në kufi me Libanin – VIDEO

admin

Ekonomia gjermane ende s’po merr vrull! DW: Qeveria pret që të rimëkëmbet! Nga ulja e inflacionit, tek rritja ekonomike, ja arsyet

admin

Kina dënon ‘arrogancën’ e deklaratave të G7 për politikën në Lindjen e Largët

Muhamet Ramadani