RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ish-kryeministri izraelit shpërthen ndaj prezantuesit televiziv britanik pas pyetjes për civilët në Gaza

ish-kryeministri-izraelit-shperthen-ndaj-prezantuesit-televiziv-britanik-pas-pyetjes-per-civilet-ne-gaza

Ish-kryeministri izraelit Naftali Bennett shpërtheu të enjten ndaj prezantuesit britanik të “Sky News” për shkak të pyetjes për vuajtjet e palestinezëve në Gaza, transmeton Anadolu.

Në përgjigje të pyetjes të Kamali Melbourne mbi vdekjet e civilëve në Gaza nga sulmet izraelite, Bennett tha se forcat izraelite nuk synojnë civilët, por po “luftojnë nazistët”.

Më vonë, Melbourne pyeti: “Po për ata palestinezë në spital që janë në aparate që i mbajnë në jetë dhe foshnjat në inkubatorë, të cilëve do të duhet t’u fiken aparatet që i mbajnë në jetë, sepse izraelitët kanë ndërprerë energjinë?”.

“A vazhdoni seriozisht të më pyesni për civilët palestinezë? Çfarë nuk shkon me ju?” tha ai, duke theksuar se ata nuk synojnë civilët dhe nuk janë përgjegjës për ta.

“Tani bota mund të vijë dhe t’u sjellë atyre çfarë të duan. Nëse ju doni t’u sillni energji elektrike, unë nuk do t’i furnizoj me energji elektrike apo ujë armiqtë e mi”, shtoi ai.

Ndërsa Melbourne po përpiqej të bënte një tjetër pyetje, Bennett ndërhyri duke thënë se kishte dëgjuar mjaftueshëm dhe i kërkoi prezantuesit që ta dëgjonte “tani”.

“Ky është programi im. Ky është emisioni im. Unë i bëj pyetjet”, tha Melbourne në përgjigje.

“Turp për ju”, përsëriti Bennett disa herë, duke e ndërprerë Melbourne ndërsa ai po përpiqej të bënte pyetjen e radhës.

“Ne tashmë kemi bërë dallimin midis Hamasit dhe palestinezëve”, tha prezantuesi. “Çfarë do të bëhet për t’u siguruar që ata njerëz të pafajshëm të mos vriten siç u vranë hebrenjtë e pafajshëm të shtunën?”.

“Epo, ne do të synojmë Hamasin dhe i themi Hamasit se nëse përdorni dikë si mburojë të gjallë dhe do të qëlloni mbi ne duke përdorur mburoja njerëzore, kjo është përgjegjësia e tyre”, tha Bennett, duke iu referuar grupit palestinez dhe filloi t’i bënte pyetje drejtuesit të TV.

“Z. Bennett, nuk jam këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja…Këtu do të ndalojmë. Do ta lëmë këtu”, tha Melbourne duke i dhënë fund intervistës.

Konflikti i vazhdueshëm filloi kur Hamasi filloi operacionin “Tufani i Al-Aksa-së”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional që përfshinte lëshimin e një breshërie raketash dhe infiltrimin në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se ishte një hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës. Izraeli ashpërsoi masat duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në zonën që tashmë ishte në një rrethim të hekurt që nga viti 2007.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 1.537 palestinezë, përfshirë 500 fëmijë dhe 276 gra ndërsa janë plagosur 6.612 të tjerë.

Ndërkohë, numri i viktimave izraelite nga operacioni “Tufani i Al-Aksa-së” ka arritur në 1.300 dhe numri i të plagosurve në 3.300, njoftoi Korporata e Transmetimeve Publike Izraelite (KAN).

Related posts

Kurti, Rama, Vuçiq/ Liderët Ballkanit Perëndimor mblidhen nesër në Shkup

admin6

Mali i Zi: Nafta nga sot shtrenjtohet për 12 centë

admin

Spanjë/ Tentuan të kalojnë kufirin, 18 të vdekur nga plagët e marra

admin