Ushtria izraelite ka hedhur përgjegjësinë mbi qeverinë libaneze dhe Hamasin për raketat e lëshuara në rajonet veriore të vendit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, deklaroi se përgjegjësia për gjuajtjen e raketave në Izrael nga territori i Libanit i takon qeverisë libaneze.
Duke vënë në dukje se gjuajtja e raketave ndaj Izraelit është një ngjarje e rrezikshme, Adraee tha: “Flitet për një ngjarje shumëpalëshe, por pala përgjegjëse për raketat është Hamasi në Liban”.
Duke thënë se po hetojnë po ashtu nëse Irani ishte i përfshirë në këtë incident, Adraee deklaroi se ushtria është në gatishmëri të plotë dhe shkalla e shkatërrimit të raketave e tregon këtë vigjilencë.
Ndryshe, më herët, ushtria izraelite tha se 34 raketa u hodhën nga territori libanez drejt rajonit të Galilesë Perëndimore në veri të Izraelit, 25 prej të cilave u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite dhe të paktën pesë raketa ranë në territorin izraelit.
Ushtria izraelite u kundërpërgjigj duke goditur me artileri jugun e Libanit.