Japonia të enjten i kërkoi Iranit të tregojë “fleksibilitet maksimal” dhe bëri thirrje për ndërtimin e “vrullit për diplomaci” për t’i dhënë fund luftës SHBA-Iran, sipas Ministrisë së Jashtme japoneze, transmeton Anadolu.
Kjo ndodhi në një telefonatë midis ministrit të Jashtëm japonez Toshimitsu Motegi dhe homologut të tij iranian Abbas Araghchi, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
Motegi tha se bisedimet indirekte midis Washingtonit dhe Teheranit kanë qenë “në zhvillim e sipër që nga java e kaluar”, sipas deklaratës.
SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime indirekte përmes Katarit në Nju Jork javën e kaluar në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Japonia “ka bërë përpjekje të vazhdueshme drejt një deeskalimi dhe stabilizimi të hershëm të situatës dhe një zgjidhjeje diplomatike”, tha Motegi.
Ai shtoi se Japonia do të dëshirojë të “ndërtojë vurllin për diplomaci së bashku me vendet e përfshira”.
Motegi gjithashtu “i kërkoi fuqimisht Iranit të vazhdojë të tregojë fleksibilitet maksimal”, thuhet në deklaratë.
Duke iu referuar një takimi mbi bashkëpunimin detar të bashkorganizuar nga Japonia në OKB javën e kaluar, Motegi theksoi rëndësinë e rivendosjes së lundrimit nëpër rrugët ujore kryesore rajonale.
Ai tha se “është e rëndësishme të rivendoset lundrimi i lirë dhe i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe Ngushticën Bab el-Mandeb, dhe të diskutohet e ardhmja e Ngushticës së Hormuzit me gjithë bashkësinë ndërkombëtare”.
Motegi “i kërkoi fuqimisht Iranit t’i përgjigjet çështjes në mënyrë konstruktive”, thuhet në deklaratë.
Ministria tha se Araghchi shpjegoi statusin aktual të bisedimeve me SHBA-në dhe qëndrimin e Iranit.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë në të gjithë rajonin dhe në mënyrë efektive mbylli Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për furnizimin me energji. Pentagoni vendosi bllokadën e vet ushtarake të porteve iraniane.
Përpjekjet për t’i dhënë fund luftës kanë vazhduar që nga memorandumi i mirëkuptimit në Islamabad i 18 qershorit, i cili synon të hapë rrugën për një marrëveshje përfundimtare paqeje që mbulon lundrimin në rrugën ujore strategjike dhe programin bërthamor të Iranit.

