Japonia zbuloi të premten planin e saj më të madh të armatimit që nga Lufta e Dytë Botërore me një buxhet prej 320 miliardë dollarësh. Ndër të tjera, është planifikuar blerja e raketave që mund të godasin Kinën dhe të përgatisin vendin për një konflikt të mundshëm, shkruan CNN.
Plani gjithëpërfshirës pesëvjeçar, dikur i paimagjinueshëm në Japoninë pacifiste, do ta bëjë vendin shpenzuesin e tretë më të madh ushtarak në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Kryeministri Fumio Kishida, i cili ka thënë se Japonia është “në një pikë kthese historike”, shtoi se rritja është një përgjigje ndaj sfidave të ndryshme të sigurisë me të cilat përballet vendi.
Qeveria e tij shqetësohet se Rusia ka krijuar një precedent që do ta shtyjë Kinën ta sulmojë Tajvanin, duke kërcënuar ishujt e afërt japonezë, duke ndërprerë dërgesat e çipave dhe duke vënë presion të mundshëm në rrugët detare që furnizojnë naftë.
“Kjo vendos një drejtim të ri për Japoninë. Nëse zbatohet siç duhet, forca e mbrojtjes do të jetë një forcë e vërtetë e klasit botëror”, ka thënë Yoji Koda, një ish-admiral detar që komandonte flotën japoneze më 2008.
Qeveria ka thënë se do të grumbullojë gjithashtu pjesë rezervë dhe municione të tjera, do të zgjerojë kapacitetin e transportit dhe do të zhvillojë aftësitë e luftës kibernetike. Në kushtetutën e saj të pasluftës të shkruar nga SHBA-ja, Japonia hoqi dorë nga e drejta për të bërë luftë.