Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, përcjell Reporteri.net.
Vendimi u mor në nivel të ministrave të Jashtëm në mbledhjen e fundit të këtij semestri.
Sipas njoftimit, vendimi pritet t’i prekë rreth 18 mijë banorë serbë të Kosovës që i posedojnë këto dokumente.
“Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit të Serbisë”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Rregullorja hyn në fuqi në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së.
Më 16 nëntor 2023, Komisioni publikoi një propozim për të hequr këtë përjashtim. Amendamenti i rregullores përkatëse u miratua nga Parlamenti i mëparshëm Evropian gjatë seancës plenare përfundimtare në prill të këtij viti.
Bartësit e këtyre pasaportave nuk ishin përfshirë në liberalizimin e vizave në kohën kur Bashkimi Evropian i hoqi vizat për shtetasit e Serbisë.
Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”. Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.
Për Qeverinë e Kosovës problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria koordinuese e Serbisë në Beograd shkruhen vendbanimet në territorin e Kosovës sikur të jenë në Serbi, që është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në dialog për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë.
The post Këshilli i BE-së merr vendim për t’ua hequr vizat serbëve të Kosovës first appeared on Radio Televizioni Iliria.