RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të votojë për të vendosur nëse misioni paqeruajtës në Mali do të vazhdojë

keshilli-i-sigurimit-i-okb-se-do-te-votoje-per-te-vendosur-nese-misioni-paqeruajtes-ne-mali-do-te-vazhdoje

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) javën e ardhshme do të votojë nëse misioni paqeruajtës i OKB-së në Mali do të vazhdojë, transmeton Anadolu.

Votimi do të zhvillohet më 30 qershor, pasi ministri i Punëve të Jashtme i Malit, Abdoulaye Diop, bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të misionit MINUSMA në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 16 qershor.

Arsyen e kërkesës për tërheqje, Diop e shpjegoi si “krizë besimi” me misionin MINUSMA.

Marrëdhëniet midis MINUSMA-s dhe administratës së Malit filluan të përkeqësohen pasi lideri ushtarak i vendit, kolonel Assimi Goita, organizoi përsëri një grusht shteti në vitin 2021 për shkak të mosmarrëveshjes me aktorët e qeverisë tranzitore civile, e cila u formua pasi ai përmbysi presidentin Ibrahim Babacar Keita në vitin 2020.

Kërkesat hetimore të MINUSMA-s në lidhje me pretendimet se ushtria e Malit ka “kryer masakër ndaj civilëve” u bllokuan nga administrata e Bamakos.

Vetëm në tre muajt e fundit, Mali refuzoi 175 leje fluturimi të kërkuara nga MINUSMA.

MINUSMA, misioni më i rrezikshëm i paqes në botë

MINUSMA u formua më 24 prill të vitit 2013, me vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas shpërthimit të krizës së sigurisë në Mali.

Mbi 15 mijë ushtarë dhe policë nga 61 vende nga Armenia deri në Zambia janë në detyrë në MINUSMA, e cila është e vendosur në 12 rajone në veri, lindje, perëndim dhe në brendësi të vendit.

Sipas të dhënave të përditësuara nga OKB-ja më 31 maj, në dhjetë vitet e fundit MINUSMA ka humbur një personel prej 306 personash, 192 prej të cilëve në sulme terroriste.

Për shkak të numrit të viktimave në sulmet terroriste, MINUSMA konsiderohet “misioni paqeruajtës më i rrezikshëm në botë”.

Pasi qeveria e Malit arriti një marrëveshje me kompaninë private ushtarake ruse ‘Wagner’, vendet si Mbretëria e Bashkuar, Bregu i Fildishtë, Gjermania, Danimarka, Suedia, Benini dhe Egjipti vendosën të tërheqin ushtarët e tyre nga misioni.

Related posts

Kreu i opozitës greke refuzon mandatin për të formuar qeverinë

rezart morina

Humbi në kumar dhe u kthye me pistoletë në brez, media gjermane: Kosovari qëlloi për vdekje reperin serb për një borxh 15 mijë euro

admin

Familjarët e 26 vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Prishtinë i falin gjakun familjes së shoferes

admin