Ushtarët e Ekipit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), të angazhuar në Komandën Rajonale Perëndim (RC-W) të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë dhuruar pajisje për zjarrfikje dhe shpëtim për stacionin e zjarrfikësve në Komunën e Klinës.
Sipas njoftimit të KFOR-it, pajisjet e dhuruara do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve operacionale të njësisë, duke mundësuar reagim më të shpejtë dhe më efikas në rastet e zjarreve dhe situatave të tjera emergjente.
KFOR thekson se mbështetja për institucionet lokale është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Ky donacion përforcon aftësinë e njësisë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive emergjencave nga zjarri dhe operacioneve të shpëtimit. Iniciativa të tilla pasqyrojnë përkushtimin e KFOR-it për bashkëpunim të ngushtë me partnerët lokalë, në mënyrë transparente dhe të paanshme”, thuhet në njoftimin e misionit.

