RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kina mbron ndryshimet rreth ‘COVID-19’ pas shqetësimeve të SHBA-së dhe OBSH-së 

kina-mbron-ndryshimet-rreth-‘covid-19’-pas-shqetesimeve-te-shba-se-dhe-obsh-se 

Kina mbrojti të enjten ndryshimet në politikat e saj pas rritjes së numrit të infektimeve me COVID-19. Reagimi i Kinës erdhi pasi Presidenti i SHBA-së, Joe Biden shprehu shqetësim dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se Pekini po raporton më pak vdekje nga virusi se sa është numri i vërtetë.

Drejtori i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan, të mërkurën bëri kritikat më të ashpra deri më tani nga kjo agjenci e OKB-së, duke thënë se zyrtarët kinezë po minimizonin të dhënat në disa fronte.

Në dhjetor, Kina hoqi kontrollet e saj të rrepta në përpjekje për të ndaluar përhapjen e “COVID-19” tek popullsia e saj prej 1.4 miliardë njerëzve, pas protestave kundër tyre.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning tha në një konferencë të rregullt për media në Pekin se Kina kishte ndarë në mënyrë transparente dhe të shpejtë të dhënat e “COVID-19” me OBSH-në dhe tha se “situata epidemike e Kinës është e kontrollueshme”.

“Faktet kanë vërtetuar se Kina gjithmonë, në përputhje me afatet kohore dhe transparencën, ka mbajtur komunikim të ngushtë dhe ka ndarë informacionin dhe të dhënat përkatëse me OBSH-në, në kohën e duhur”, tha zoti Mao.

Kina raportoi të mërkurën vetëm një vdekje nga “COVID-19” në territorin e saj, pa llogaritur Hong Kongun dhe Makaun. Një ditë më parë, Kina raportoi pesë të vdekur, ndërsa totali i njerëzve të vdekur zyrtarisht thuhet se është 5,259.

Z. Ryan tha se shifrat e Kinës nuk përfshinin pranimet në spital, pacientët dhe vdekjet në njësinë e kujdesit intensiv duke sqaruar se përkufizimi i Pekinit për vdekjet e lidhura me “COVID-19” ishte shumë i ngushtë.

Disa orë më vonë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden ngriti shqetësimin për trajtimin që po i bën Kina shpërthimit të valës së re të të infektuarve me “Covid-19”.

“Ata janë shumë të ndjeshëm … kur ne themi se nuk kanë qenë aq të suksesshëm për të planifikuar më mirë përballjen me situatën”, u tha z. Biden gazetarëve.

Ministri francez i shëndetësisë shprehu shqetësim të ngjashëm, ndërsa ministri gjerman i shëndetësisë, Karl Lauterbach shprehu shqetësim për një nënvariant të ri të “COVID-19” që lidhet me rritjen e numrit të pacientëve në spitalet amerikane./voa

Related posts

Papa Françesku zhvillon vizitë në Mongoli

rezart morina

Putini i jep nënshtetësinë ruse të dyshuarit për krime lufte në Bosnjë

rezart morina

Gjermania ul TVSH-në e gazit

admin