Të paktën 16 persona kanë vdekur dhe 36 të tjerë janë raportuar të zhdukur pas një përmbytjeje në veriperëndim të Kinës, sipas një raporti në televizionin shtetëror vendas.
Përmbytjet ndodhën mbrëmjen e së mërkurës në malet në qarkun Datong, pranë qytetit Xining, në provincën Qinghai, pas reshjeve të dendura.
”Reshjet shkaktuan rrëshqitje dheu që bllokuan dhe devijuan lumenjtë duke prekur më shumë se 6 000 persona në dy qytete dhe gjashtë fshatra”, thuhet në raport.
Autoritetet mobilizuan rreth 2 000 punonjës të ekipeve të shpëtimit, përfshirë oficerë policie, njësi paraushtarake, shërbime emergjente dhe zyrtarë qeveritarë.
”Provinca Qinghai ka shpallur nivelin e dytë më të lartë të alarmit në sistemin e saj me katër nivele të reagimit ndaj emergjencave dhe fatkeqësive”, njoftoi media shtetërore.
Një numër i madh i pakicave Hui dhe Tu jetojnë në rajonin e prekur. /atsh