Sinodi i Kishës Ortodokse Bullgare në seancën e tij të rregullt ka pranuar zyrtarisht tomosin e lëshuar nga Kisha Ortodokse Serbe dhe kreu i saj Porfirije, me të cilin iu dha autoqefalia Kishës Ortodokse Maqedonase, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas vendimit, Kisha Ortodokse Bullgare shpreh rekomandimin që çështja e emrit zyrtar të zgjidhet në një dialog vëllazëror me kishat greqishtfolëse dhe kishat e tjera ortodokse lokale.
Në lidhje me përmendjen e emrave të krerëve të kishave ortodokse në listën e Kishave Ortodokse, Sinodi i Kishës Ortodokse Bullgare shtoi se Kryepeshkopi Stefan duhet të përmendet si “I bekuari Stefan, Kryepeshkop i Maqedonisë së Veriut”.
Një anëtar i Sinodit të Kishës Ortodokse Bullgare, në një deklaratë për korrespondentin e Agjencisë Informative Mediatike (MIA) të Maqedonisë së Veriut, tha se Kisha Ortodokse Bullgare ishte ndër të parat që e njohu pavarësinë shpirtërore të Kishës Ortodokse Maqedonase, për dallim nga kishat e tjera ortodokse.