RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kolonët sulmojnë palestinezë e gazetarë në Bregun Perëndimor, ushtarët vetëm vëzhgojnë

kolonet-sulmojne-palestineze-e-gazetare-ne-bregun-perendimor,-ushtaret-vetem-vezhgojne

Pesë palestinezë dhe disa aktivistë u plagosën, ndërsa makinat u shkatërruan

Kolonët izraelitë sulmuan të martën me shkopinj, gurë dhe spraj piper aktivistët e së majtës dhe gazetarët në fshatin Jannatah të Bregut Perëndimor, duke plagosur disa persona.

Pamjet nga incidenti tregojnë se ushtarët izraelitë të pranishëm në vendngjarje nuk ndërhynë. Aktivistët nga organizatat “Solidarity Guard” (një iniciativë e lëvizjes Standing Together), “Rabbis for Human Rights” dhe “Bnei Avraham”, kishin mbërritur në fshat të martën në mëngjes për të mbrojtur shtëpitë e palestinezëve nga sulmet e mundshme të kolonëve izraelitë.

Organizatat deklaruan se kishin ndërmend të ndërtonin një rrethim rreth një shtëpie në periferi të fshatit. Mes të sulmuarve ishte edhe një aktivist 70-vjeçar, i cili, sipas organizatave, u rrah dhe u spraps me spraj piper.

Sulmi ndodhi mes përpjekjeve të përsëritura të kolonëve për të ngritur postbllokun Kochav Yehuda në atë zonë, pasi autoritetet izraelite e kishin pastruar më parë.

Organizatat deklaruan se postblloku u ngrit në tokë private që i përket një familjeje palestineze, anëtarët e së cilës janë qytetarë izraelitë.

Aktivistët treguan se të hënën në mbrëmje, trupat e IDF-së (Ushtrisë Izraelite) e evakuuan sërish postbllokun, por ai u ringrit brenda pak orësh. Sipas raportimeve të vetë kolonëve, ky ishte evakuimi i 65-të i këtij postblloku.

Forcat izraelite në vendngjarje nuk arrestuan asnjë nga sulmuesit. Në vend të kësaj, ushtarët u përpoqën të largonin aktivistët dhe t’u konfiskonin kamerat, duke pretenduar se ndodheshin në një “zonë ushtarake të mbyllur”, pa paraqitur asnjë urdhër ushtarak.

Ushtria izraelite (IDF) deklaroi se forcat e saj mbërritën në zonë pas raportimeve për përleshje ku u përdor spraj piper dhe u shkatërruan makina.

Sipas organizatës “Bnei Avraham”, një anëtar i familjes palestineze u qëllua për vdekje në të njëjtin vend më pak se një vit më parë, dhe që nga ajo kohë, kolonët kanë tentuar vazhdimisht të ngrenë postbllokun aty.

Daniel Baldi, koordinator i “Solidarity Guard”, u shpreh se kishin ardhur për të mbështetur banorët palestinezë të Jannatah-ut, por u përballën me “një sulm të dhunshëm dhe të planifikuar”.

Ai shtoi se ushtria izraelite “qëndroi duarkryq gjatë gjithë sulmit, pa vandalizimin e automjeteve e lëndimin e aktivistëve dhe nuk arrestoi asnjë nga sulmuesit”.

Anton Goodman, drejtor i “Rabbis for Human Rights”, deklaroi: “Jannatah është një fshat i qetë palestinez. Që nga ngritja e postbllokut të paligjshëm Kochav Yehuda, komuniteti vuan nga dhuna e përditshme”.

Ai shtoi se me gjithë thirrjet e tyre drejtuar policisë, zyrtarët nuk u shfaqën, ndërsa trupat e pranishme nuk ndërhynë: “Rinia e kodrave (‘hilltop youth’) është më e fuqishme se oficerët, Komanda Qendrore dhe distriktet e policisë. Nuk ka kontroll, s’ka ligj, ka vetëm dhunë!”.

Organizata “Bnei Avraham” deklaroi se ky sulm është dëshmi e kalimit të një tjetër linje të kuqe. “Në praktikë, ushtria mbështet kolonët e dhunshëm, të cilët çojnë në kaos, shpronësim dhe dhunë”, thekson ajo. tesheshi

Related posts

Serbia refuzon t’i kthejë artefaktet e Kosovës

Muhamet Ramadani

SHBA paralajmëron se një ofensivë e Izraelit në Liban, mund të çojë në zgjerim të luftës

admin

Mbi dy mijë britanikë, duart me gjak në Gaza

Hevzi