Komandanti i KFOR-it, gjeneramajor Angel Michele Ristuccia ka takuar krerët fetarë në Kosovë.
Ai takoi peshkopin Imzot Dodë Gjergji, kryemyftiun Naim Tërnava, si dhe peshkopin Teodosije Shibaliq.
Përmes një publikimi në Facebook është bërë e ditur se takimi është bërë me qëllim që të promovohet roli i udhëheqësve fetarë në forcimin e paqes, transmeton lajmi.net.
Po ashtu thuhet se Ristuccia është shprehur se fetë janë pjesë e zgjidhjes për bashkëjetesë në harmoni.
“Gjenerali Ristuccia theksoi rëndësinë e të gjitha komuniteteve fetare në promovimin e paqes, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë dhe sigurimin e unitetit përballë provave që kërcënojnë të përçajnë edhe më shumë. Fetë nuk janë probleme, por pjesë e zgjidhjes për një bashkëjetesë më harmonike”.
Tutje u tha se “Komandanti i KFOR-it gjithashtu nënvizoi përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur paqen, bashkëpunimin dhe përparimin për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, siç thuhet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet tutje në postim.