RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Komisioni Evropian paralajmëron rishikimin e negociatave me Serbinë, pas glorifikimit të Mlladiqit

komisioni-evropian-paralajmeron-rishikimin-e-negociatave-me-serbine,-pas-glorifikimit-te-mlladiqit

Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Serbinë se mundësia e vazhdimit të bisedimeve për pranimin e saj në Bashkimin Evropian do të shqyrtohet, pasi vendi nga Ballkani e varrosi me nderime shtetërore dhe ushtarake Ratko Mlladiq, të dënuarin për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Siç e dini, diskutimet mbi Grupin 3 janë duke u zhvilluar aktualisht me shtetet anëtare. Dhe, për këtë diskutim duhet të merren parasysh zhvillimet e fundit politike që i kemi parë”, tha Guillaume Mercier, zëdhënësi i Komisionit Evropian për zgjerimin, në një konferencë për shtyp të martën.

Për vite me radhë, Komisioni Evropian ka mbështetur vazhdimin e bisedimeve për pranim midis Bashkimit Evropian dhe Serbisë, duke rekomanduar hapjen e Grupit 3, për të cilin Serbia konsiderohet teknikisht e gatshme.

Angazhimi i fundit intensiv mbi këtë çështje ishte para pushimeve verore, kur Komisioni Evropian u bëri thirrje shteteve anëtare të arrinin një marrëveshje për hapjen e këtij grupi dhe kështu të zhbllokonin procesin e negociatave, i cili praktikisht kishte ngecur në pothuajse pesë vjetët e fundit.

“Në korrik, ne bëmë vlerësimin tonë në lidhje me Grupin 3. Ishte një vlerësim teknik i reformave dhe hapave të ndryshëm që duheshin përfunduar në mënyrë që Grupi 3 të ishte i hapur. Ky vlerësim u bë në korrik, bazuar në të gjithë elementët përkatës që ishin në dispozicion në atë kohë”, shpjegoi Mercier.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociatash që nga dhjetori i vitit 2021.

Fillimisht, arsyeja për këtë ishte mungesa e përputhshmërisë me politikën e jashtme të BE-së, kryesisht dështimi për të vendosur sanksione ndaj Rusisë në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës, ndërsa më vonë gjendja e sundimit të ligjit nxiti më tej skepticizmin e disa shteteve anëtare.

Gjendja është ndërlikuar edhe më shumë tani pas ngjarjeve lidhur me vdekjen dhe varrosjen e Mlladiqit.

Mlladiq vdiq më 27 gusht në Hagë, ku po vuante dënimin, në moshën 85 vjeç, dhe u varros në Beograd të hënën me nderime shtetërore e ushtarake, duke ngjallur reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare.

Tribunali i Hagës e dënoi Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, në qershor 2021.

Ai u shpall fajtor për gjenocidin e kryer kundër rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, një zonë e mbrojtur nga OKB-ja, në verën e vitit 1995.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke i përshkruar skenat nga Beogradi gjatë varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Mlladiq, si “tronditëse”.

“Elementet e mbështetjes zyrtare, si dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim, janë thellësisht dëshpëruese. Ato tregojnë dështimin për t’u përballur me kapitullin e errët të historisë së vonshme evropiane, dhe janë në kundërshtim me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, theksuan në një deklaratë të përbashkët liderët e institucioneve kryesore evropiane.

Ndërkohë, von der Leyen së shpejti do të nisë turneun e saj të rregullt vjetor në vendet e rajonit. Ende nuk ka konfirmim nëse ajo do të vizitojë Serbinë me atë rast.

Related posts

Sulmi iranian në Izrael, reagon Borrell: Palët të përmbahen maksimalisht! Situata të mos përshkallëzohet

admin

Defekt me energji elektrike në Trepçë, disa minatorë mbeten përkohësisht të bllokuar nën tokë

Kushtrim Guraj

Një foshnje dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës

admin