RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmetShëndetësi

Kompanitë e barnave rritën çmimet, mjekësitë familjare në krizë për infuzione

kompanite-e-barnave-rriten-cmimet,-mjekesite-familjare-ne-krize-per-infuzione

Rritja e rasteve të dyshuara për helmim nga uji ka shpërfaqur edhe një herë krizën e përvitshme të Ministrisë së Shëndetësisë me furnizimin me barna. Sipas këtij institucioni, rreth 30 për qind e barnave në institucionet e Kujdesit Parësor Shëndetësor mungojnë. Përgjegjës për furnizimin e këtyre institucioneve është Ministria e Shëndetësisë. Por furnizimin për trajtimin e pacientëve të helmuar po e mbulon Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Aktualisht nuk ka as infuzione, e nga Ministria e Shëndetësisë është njoftuar se mungesa e tyre lidhet me problemet në tenderë.

Dyshimet për helmim me ujë në Kaçanik dhe në Han të Elezit e kanë zënë sërish Ministrinë e Shëndetësisë të papërgatitur.

Kjo ministri është institucioni i vetëm përgjegjës për furnizimin me barna të Qendrave të Mjekësisë Familjare nëpër komuna. Por rritja e numrit të pacientëve që dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm në dy komuna ka shpërfaqur problemet përbrenda Ministrisë së Shëndetësisë me furnizimin me barna.

Qendrat e Mjekësisë Familjare që kanë trajtuar me qindra pacientë gjatë dy ditëve të fundit nuk kanë pasur as infuzione për trajtim të tyre.

Qendra Kryesore Familjare në Hanin e Elezit të martën pasdite ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë barna bazë e material shpenzues që të mundësohet trajtimi i numrit të madh të pacientëve që kërkonin ndihmë.

Kjo dëshmohet nëpërmjet një shkrese të këtij institucioni drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë. Në një kërkesë, qasje në të cilën ka pasur KOHA, thuhej se mungojnë infuzione, ampula pantoprazoli, Beviplexi, Buscopani, shurupi e tabletat Enterofory dhe qese rehidruese.

Një pjesë të madhe të tyre nuk i ka poseduar as Ministria e Shëndetësisë, dhe ka kërkuar që ShSKUK-ja ta marrë obligimin për furnizimin e këtyre qendrave.

Ligjërisht, Barnatorja Qendrore e ShSKUK-së është përgjegjëse për furnizimin me barna vetëm të spitaleve, e për qendrat e mjekësisë familjare është Ministra e Shëndetësisë.

Në mungesë të barnave e materialit, Ministria i ka kërkuar QKUK-së që t’i dërgojë këto produkte në nivel parësor. Këtë ministria e ka konsideruar si punë të përbashkët me QKUK-në, ani se është obligim ligjërisht i saji.

“Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, kanë bërë furnizimin me barna në QKMF-në në Han të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente, sa u përket dyshimeve për helmim nga uji. Ministria e Shëndetësisë njofton opinion publik se në kuadër të emergjencave në QKMF Kaçanik dhe Hani i Elezit për produkte medicinale, ju njoftojmë për furnizimet të cilat janë realizuar nga ShSKUK”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Në pyetjet drejtuar nga KOHA lidhur me çështjen, nga Ministria e Shëndetësisë kanë njoftuar se proporcioni i furnizimit me barna në Kujdesin Parësor Shëndetësor është rreth 70 për qind e ajo e furnizimit me material shpenzues rreth 95 për qind.

Nga ky institucion kanë pranuar se ekzistojnë problemet në furnizim me infuzione, e sipas sqarimit, vonesat ndërlidhen me prokurimin.

“Mungesa e NaCl-së është shfaqur pasi që, sipas njoftimit nga Divizioni i Prokurimit të MSH-së, në procesin e kontraktimit ofertat për këtë produkt kanë tejkaluar në masë domethënëse vlerën e parashikuar (çmimi i ofruar është më i lartë sesa ai i kontratës së fundit)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim në MSH.

Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi është përballur me probleme në furnizim me barna e material shpenzues. Vitin e kaluar, në Deçan kishte dyshime për helmime nga uji. Asokohe, Ministria udhëhiqej nga ish-ministri Arben Vitia. Edhe atëherë kishte mungesë të gjërave bazike, e ShSKUK-ja ishte detyruar që ta bënte furnizimin.

Related posts

Ushtari amerikan ia numëron Rakiqit ushtarët e plagosur nga protestuesit në Zveçan

admin

Sveçla viziton fshatrat në komunat veriore: Qytetarët serbë të Kosovës nuk janë palë e dorës së tretë

admin

KQZ shpall rezultatet përfundimtare për zgjedhjet në Veri

admin