RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Kosovarët nga sot lëvizin lirshëm pa viza, këto janë kushtet që duhet t’u përmbahen

kosovaret-nga-sot-levizin-lirshem-pa-viza,-keto-jane-kushtet-qe-duhet-t’u-permbahen

Qytetarët e Kosovës nga sot,1 janari, do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të Zonës Shengen deri në 90 ditë brenda periudhës prej 180-ditësh.
Ky regjim, megjithatë, bart disa rregulla që duhet të ndiqen, në të kundërtën pason gjoba ose ndalesa e hyrjes.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në fundvit u kanë bërë thirrje qytetarëve t’i respektojnë të gjitha rregullat që janë pjesë e sistemit të liberalizimit të vizave.

Udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turistë, por edhe t’i vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.

Një qytetar mund të qëndrojë 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda Zonës Shengen.

“Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes ditët e qëndrimit, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të kalojë totalin prej 90-ditësh brenda periudhës 180 ditore”, ka njoftuar Integrimi Evropian i Kosovës.

Për të udhëtuar pa vizë kërkohen dokumente të rëndësishme si pasaportë biometrike, dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, rezervimin e vendit të qëndrimit, detajet e udhëtimit, dokumentet për veturën nëse udhëtoni me të, dhe dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk ju mundëson të punoni, ta ndiqni shkollimin ose të kryeni studime në Zonën Shengen.

Shkeljet e rregullave apo abuzimi i kësaj të drejte mund të sjellin pasoja të rënda, duke përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në Zonën Shengen deri në pesë vjet.

Si funksionon rregulli i tre muajve afat në pasaportë për të hyrë në Zonën Shengen?

“Për të hyrë në Zonën Shengen është e rëndësishme të keni pasaportë me afat të mjaftueshëm. Pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga Zona Shengen. Për shembull, nëse planifikoni të hyni në Zonën Shengen më 1 mars 2024 dhe deklaroni te policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars 2024, atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor 2024, pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit”, ka njoftuar Integrimi Evropian i Kosovës.

Institucionet e vendit kanë nisur një fushatë njëmujore në të gjitha komunat për t’i informuar qytetarët për procedurat e liberalizimit të vizave.

Qytetarët janë informuar mbi rregullat e lëvizjes pa viza përmes materialeve informuese dhe kuisit mbi integrimin evropian.

Related posts

Ambasadori Hovenier uron Fitër Bajramin

rezart morina

Stano thotë se rezultatet e deritashme në dialog janë shkaku i Kosovës e Serbisë e jo i Lajçakut

rezart morina

Polonia: Nuk do të heqim dorë për dëmshpërblimin e luftës nga Gjermania

rezart morina