RTV AHIRETI
Lajme

Kosovë, kërkohet që të mos afatizohet procesi i njohjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

kosove,-kerkohet-qe-te-mos-afatizohet-procesi-i-njohjes-se-te-mbijetuarve-te-dhunes-seksuale-gjate-luftes

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka organizuar tryezën me temën “E drejta për njohje: Ndikimi i mungesës ligjore dhe afatizimit të aplikimit në procesin e njohjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, raporton Anadolu.

Në këtë tryezë, organizata të ndryshme bashkë me përfaqësues institucionesh dhe deputetë kanë diskutuar shqetësimet e të mbijetuarve dhe stigmën me te cilën po ballafaqohen.

Ata u pajtuan që kërkesa që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale është e drejtë, siç është kufizuar që mundësia për aplikim të jetë e hapur vetëm deri më 15 maj 2025, me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se nuk duhet të kufizohet afati për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale për arsye se kemi të bëjmë me një grup të ndjeshëm.

Rushiti tha se shumë nga viktimat e dhunës seksuale presin deri në një moment më të përshtatshëm në familjet e tyre për ta për ta rrëfyer dhunën e ushtruar mbi ta gjatë luftës së viteve 1998-99.

“Këto gra dhe këta burra kanë presione, janë stigmatizuar në familje, në shoqëri, edhe pse ka një progres dhe kur po flasim janë rreth 1 mijë e 500 gra dhe burra që përfitojnë dhe e kanë përjetuar dorën e shtetit që i përkrah me pensione, por, fatkeqësisht, janë edhe shumë gra dhe burra që ende kanë probleme me familje, ende nuk e kanë diskutuar këtë çështje me familjen. Prandaj, nga përvoja, them që, shumë nga ato, fatkeqësisht, presin që ndoshta t’u vdesë burri, t’u vdesë vjehrra, t’i martojnë fëmijët”, theksoi Rushiti.

Edhe drejtoresha e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, Kadire Tahiraj, u shpreh e zhgënjyer me caktimin e afatit për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Ajo tha se procesi i identifikimit dhe paraqitja fizike e të mbijetuarave/mbijetuarve të dhunës seksuale kërkon kohë më të gjatë dhe jo presion.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.

“Problemi i parë është kufizimi kohor, problemi i dytë është mënyra e funksionimit të komisionit. Unë mund të them se për dy vitet e e fundit ndoshta vetëm katër herë e kemi pasur komisionin në takim në Kuvend. Ne kemi pasur viktima të dhunës seksuale edhe brenda komisionit dhe ndoshta për 15 vjet pune të cilat unë i kam këtu ka qenë takimi më i rëndë që kam pasur në karrierë”, theksoi Balje”.

Ajo mori shembull edhe Bosnjë dhe Hercegovinën, e cila tha se ka bërë lehtësime shumë të mëdha administrative për njohjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në vendin e tyre.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë konsiderohet se rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale.

Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 ka filluar procesin e regjistrimit të statusit të individëve të dhunuar gjatë luftës dhe verifikimin e tyre me qëllim të përkrahjes së tyre financiare përmes pensioneve dhe beneficioneve të veçanta. Deri në muajin prill 2023 janë aprovuar 1.473 raste, nga të cilat 1.402 janë të gjinisë femërore dhe 71 të gjinisë mashkullore.

Related posts

Danimarka dërgon 15 milionë dollarë ndihma humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor

rezart morina

Rusia: Plani izraelit për Gazën pengon paqen e qëndrueshme

rezart morina

Sami Lushtaku dërgohet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë

admin