Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka quajtur të pavërteta deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se “sistemi prokurorial në krye me ish-kryeprokurorin (Aleksandër) Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesin për trajtimin serioz” të krimeve të luftës.
Në një deklaratë për media të martën në mëngjes, KPK-ja ka thënë se janë katër prokurorë të caktuar në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale. Sipas KPK-së, janë caktuar edhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë e dy zyrtarë ligjorë.
KPK-ja ka numëruar ato që i ka cilësuar si veprime konkrete në trajtimin e krimeve të luftës.
“E pavërteta e thënë nga Ministrja Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës. Me iniciativën e ish- Kryeprokurorit Lumezi është përgatitur dhe miratuar Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Këto dhe shumë veprime të tjera janë ndërmarrë, janë duke u ndërmarrë në baza ditore për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
KPK-ja ka thënë se vlerëson punën e Lumezit, ndërsa ka shtuar se “çfarëdo tendencë për të mos njohur të arriturat institucionale nënkupton margjinalizim të të arriturave shtetërore”.