Krerët shtetërorë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit me rastin e festës së Fitër Bajramit, transmeton Anadolu.
Shqipëria
Gjatë një vizite në një xhami në qytetin e Kavajës, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, përcolli urimin e tij për besimtarët muslimanë për Fitër Bajramin, sipas njoftimit të Presidencës së Shqipërisë.
“Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës. Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin. Në fakt, kjo festë e Fitër Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin”, është shprehur presidenti Begaj.
Edhe kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka uruar besimtarët muslimanë për Fitër Bajramin, ka njoftuar zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.
“Pas përkushtimit e sakrificave të agjërimit gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, rritjes shpirtërore, lutjeve, faljeve, refleksioneve, durimit, shpërblehemi e kremtojmë bashkërisht Fitër Bajramin. Shqipëria është një familje e madhe, në të cilën, cilido qoftë besimi ynë, ndajmë me njeri-tjetrin gëzimet, lutjet, bekimet, dëshirat dhe urimet për më shumë mirëqenie, dashuri, solidaritet e bashkim. Gëzuar Fitër Bajramin të gjithë besimtarëve muslimanë”, shkruan Nikolla në mesazhin e saj.
Një urim për Fitër Bajramin ka publikuar në rrjetet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kosova
Krerë të institucioneve të larta në Kosovë gjithashtu kanë uruar festën e Fitër Bajramit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar që Fitër Bajrami të kalojë në atmosferë dashurie, shprese, solidariteti e humanizmi.
“Kjo festë që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, karakterizohet me solidaritet ndërnjerëzor, një trashëgimi e jona e bartur ndër breza. Le të shërbejë kjo ditë feste për të qenë më afër njëri-tjetrit, sikurse edhe për t`i mbështetur njerëzit e tjerë në nevojë”, shkroi Osmani duke u uruar besimtarëve muslimanë pranim të lutjeve dhe sakrificës gjatë muajit të Ramazanit.
Kryeministri Albin Kurti tha se pas një muaji përkushtim e sakrificë për lartësim shpirtëror, uroi që festa të sjellë gëzim dhe paqe tek besimtarët.
“Si ditë e besimit dhe shpresave të reja qoftë ditë e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Në solidaritet me të varfrit e të vetmuarit, kjo festë ua mbushtë zemrat me mirënjohje. Uroj mirësi e begati në shtëpitë tuaja dhe në shtetin tonë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se në këto ditë të veçanta hareje, paqja, harmonia dhe lumturia “duhet të jenë prioriteti ynë kryesor”.
“Duke e vizituar dhe përqafuar njëri-tjetrin, le të ndajmë mikpritjen, dashurinë dhe mirënjohjen mes nesh, ashtu siç ndajmë edhe ëmbëlsirat. Shpresojmë që kjo festë të sjellë më shumë gëzim, shëndet dhe prosperitet për ju dhe familjen tuaj”, theksoi Konjufca.
Konjufca shtoi se duke u udhëhequr nga kjo dashuri do të përkushtohen edhe më shumë në ndërtimin e një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë.
Gjatë ditës, kryeministri Kurti bashkë me ministra dhe zyrtarë shtetërorë kanë qëndruar në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ku janë pritur nga myftiu i Kosovës Naim Tërnava.
Maqedonia e Veriut
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me rastin e festës së madhe muslimane të Fitër Bajramit, u ka dërguar urim qytetarëve të besimit islam në vend dhe kreut të Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Shaqir Fetahu, njoftoi presidencia e vendit.
“Më lejoni, juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve, imamëve dhe të gjithë qytetarëve të besimit islam në Republikën e Maqedonisë së Veriut, t’ju dërgoj urimet më të përzemërta me rastin e Fitër Bajramit”, është shprehur Pendarovski.
“Uroj që ditët e festave t’i kaloni në paqe dhe harmoni të mbushura me lumturi e gëzim dhe duke ndarë dashuri me të afërmit. Në frymën e Ramazanit, të japim, të ndihmojmë dhe të përhapim vullnetin e mirë. Pavarësisht përkatësisë fetare, etnike dhe politike, le të kemi mirëkuptim dhe respekt për të gjithë bashkëqytetarët tanë. Së bashku dhe solidarë, të punojmë për përparimin dhe mirëqenien e atdheut tonë të përbashkët, Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gëzuar Fitër Bajramin”, ka shtuar presidenti Pendarovski.
Nga ana tjetër, urim me rastin e Bajramit ka dërguar edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
“Më lejoni që në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, t’jua uroj ditën e parë të festës së madhe muslimane, Ramazan Bajramin, të gjithë besimtarëve në vend dhe kudo që gjenden jashtë tij… Ju uroj shëndet të mirë, paqe shpirtërore dhe mendore. Mirëqenia ekonomike dhe ngrohtësia familjare le të sundojë në çdo shtëpi në këtë ditë të madhe të Bajramit”, ka shkruar Xhaferi.
Ndër të tjera, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dërguar një telegram urimi për kreun e BFI-së Fetahu, anëtarët e Rijasetit dhe myftinjve, si dhe për të gjithë besimtarët e fesë islame që po festojnë.
“Përcjell urimet e sinqerta për paqe, gëzim dhe mirëqenie për të gjithë dhe në shtëpinë e secilit. Festat janë ditë kur familjarët, fqinjët, miqtë janë bashkë dhe ndajnë respekt, mirëkuptim, solidaritet reciprok”, ka potencuar Kovaçevski.
Mesazhe urimi kanë përcjellë gjithashtu edhe politikanë dhe zyrtarë të tjerë të rajonit.