Duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë armëpushimin, Guterres ka riafirmuar angazhimin e OKB-së për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete bazuar në rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, përshëndeti shpalljen e armëpushimit në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe grupit palestinez Xhihadi Islamik, transmeton Anadolu Agency (AA).
Guterres gjithashtu ka përgëzuar Egjiptin për përpjekjet e tij të kryera në koordinim të ngushtë me OKB-në për të ndihmuar në rivendosjen e qetësisë, tha zyra e tij në një deklaratë.
Ai po ashtu ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e dhunës dhe të afërmit e tyre.
“Ai (Sekretari i Përgjithshëm) është thellësisht i pikëlluar nga humbja e jetëve dhe lëndimeve, përfshirë fëmijë, nga sulmet ajrore në Gaza dhe gjuajtja joselektive e raketave drejt Izraelit nga qendrat e popullsisë në Gaza nga Xhihadi Islamik Palestinez dhe grupe të tjera militante”, thuhet në deklaratë.
Duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë armëpushimin, Guterres ka riafirmuar angazhimin e OKB-së për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete bazuar në rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara.
Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe Xhihadit Islamik hyri në fuqi të dielën vonë në orën 23:30 sipas kohës lokale (2030 GMT).
Marrëveshja e armëpushimit erdhi pas tre ditësh sulmesh ajrore izraelite në Gaza, të cilat lanë të paktën 44 palestinezë të vdekur dhe mbi 360 të tjerë të plagosur, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. /aa