Ministri suedez i Punëve të Jashtme, Tobias Billstrom, ka deklaruar se mbetja e Suedisë jashtë NATO-s nuk do të ndryshojë asgjë në afat të shkurtër, raporton Anadolu.
Billstrom në një konferencë për media komentoi vendimin e Turqisë për të ratifikuar protokollin e anëtarësimit në NATO të Finlandës, një veprim që ai e konsideroi të pritur, por të padëshiruar.
“Por ne jemi të përgatitur”, tha ai.
Billstrom shtoi se anëtarësimi së pari i Finlandës në NATO nuk do të ndikojë shumë Suedinë në afat të shkurtër.
“Ne kemi dashur të anëtarësohemi së bashku. Nëse procesi zgjat shumë, është e vërtetë se shumë gjëra do të ndryshojnë. Derisa Finlanda do të ishte më e integruar në NATO, Suedia do të lihet jashtë”, tha Billstrom.
Duke theksuar se Finlanda ka përmbushur shqetësimet e sigurisë së Turqisë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij finlandez, Sauli Niinisto, tha se, “Ne kemi vendosur të fillojmë procesin e miratimit të protokollit të anëtarësimit në NATO të Finlandës”.
Megjithatë, mbi procesin e Suedisë, Erdoğan tha se procesi “do të lidhet drejtpërdrejt me hapat konktrete që do të ndërmarrë Suedia”.