RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kryeministrja italiane “gjithnjë e më e shqetësuar” për ofensivën e Izraelit në Rafah

kryeministrja-italiane-“gjithnje-e-me-e-shqetesuar”-per-ofensiven-e-izraelit-ne-rafah

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se është “gjithnjë e më e shqetësuar” për zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli po përballet me thirrje ndërkombëtare në rritje për të treguar përmbajtje në luftën e tij kundër Hamasit, transmeton Anadolu.

“Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar, veçanërisht për sigurinë e pengjeve, mbrojtjen e civilëve në zonën e qytetit Rafah dhe për rrezikun e një zgjerimi të mëtejshëm të konfliktit”, tha Meloni.

Izraeli është zotuar se do të vazhdojë përpara me ofensivën e tij ushtarake në qytetin jugor Rafah të Gazës, i cili është vendi i vetëm dhe i fundit i sigurt për civilët në enklavën e bllokuar.

Dje, ushtria izraelite tha se bastisi spitalin Nasser në qytetin Khan Younis, duke e përshkruar sulmin si “të saktë dhe të kufizuar”. Ushtria e justifikoi sulmin duke theksuar se kishte informacion për praninë e milicisë së Hamasit dhe pengjeve në objekt.

Këtë javë, parlamenti italian kërkoi nga qeveria të mbështesë çdo iniciativë për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, ku sulmet izraelite kanë vrarë mbi 28 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

“Qeveria pranon indikacionet e qarta të dhëna nga parlamenti. Ne do të punojmë në këto linja në nivel ndërkombëtar dhe veçanërisht në kornizën e presidencës italiane me G7-tën”, tha Meloni.

Deklaratat e kryeministres italiane erdhën pas një takimi zyrtar në Romë me homologun e saj rumun, Marcel Ciolacu.

Meloni tha se ata përsëritën mbështetjen e tyre të plotë për Ukrainën kundër Rusisë, duke shtuar se Italia do të vazhdojë të punojë për sigurinë e vendeve të Evropës Juglindore dhe se NATO duhet të vazhdojë të tregojë “kohezion dhe unitet”.

Related posts

KQZ mblidhet sot, pritet certifikimi i rezultateve për kuvendin komunal në Leposaviq

admin

Vendet e BE-së miratojnë draftin për reformën digjitale të vizave Schengen

rezart morina

Guterres: Ka filluar kolapsi i klimës, valët e të nxehtit po kërcënojnë njerëzit

rezart morina