Burimet diplomatike i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se të mërkurën në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak – për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.
Këto burime kanë thënë se palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent.
Nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një marrëveshjeje për targat është theksuar edhe në një takim të zhvilluar të martën mes Kurtit dhe ambasadorëve të Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guérot dhe Jörn Rohde, ka thënë Qeveria e Kosovës përmes një komunikate.
Takimi në Bruksel do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.