RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kthimi i refugjatëve për rindërtimin e Somalisë

kthimi-i-refugjateve-per-rindertimin-e-somalise

Somalezët që u larguan nga vendi për shkak të konfliktit, tani po kthehen në shtëpi nga një prej kampeve më të mëdha të refugjatëve në botë, për të gjetur shtigje të reja për veten dhe vendin e tyre

Në nëntor të vitit 2016, kur Abdullahi Ali Farah zbarkoi në qytetin port somalez të Kismayos, pas 22 vjetësh jetese si refugjat në Keninë verilindore, kishte frikë dhe shpresë në të njëjtën kohë.

“Isha i emocionuar për lirinë dhe perspektivën e kthimit në atdheun tim, por në të njëjtën kohë kisha frikë nga rreziku dhe pasiguria”, tha ai.

Pesë muaj më vonë frika u shua ndërsa u vendos dhe filloi të bashkëvepronte me vendësit. “Jeta ishte normale”, tha 36-vjeçari. “Nuk e kisha parë gjithë dhunën dhe lajmet negative që shikoja në media”.

Farah ka lindur në një fshat pranë qytetit kufitar të Dobley-it në rajonin e ulët Jubba të Somalisë. Në vitin 1994, familja e tij u largua nga vendi për shkak të luftës civile dhe u rrit në kampin e refugjatëve Dadaab në Kenian fqinje.

Dadaab, vendbanim kompleks i përbërë nga tri kampe, Ifo, Dagahaley dhe Hagadera, u krijua për herë të parë në vitin 1991 për të pritur përkohësisht rreth 90 mijë refugjatë somalezë që ikën nga lufta civile që filloi atë vit.

Por me kalimin e viteve është zgjeruar në më shumë se tri herë në kapacitetin e tij dhe është bërë një nga kampet më të mëdha të refugjatëve në botë, duke pritur deri në gjysmë milioni njerëz në një moment në vitin 2011.

Aktualisht kampi është shtëpia e më shumë se 200 mijë refugjatëve. Një shumicë dërrmuese, 96 për qind, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), janë nga Somalia, por ka refugjatë nga vende të tjera, duke përfshirë Etiopinë, Ugandën, Sudanin e Jugut, Burundin dhe vende të tjera.

Jeta në kamp është e vështirë për shkak të mungesës së strehimit të duhur, si dhe ushqimit dhe ujit të pamjaftueshëm, thonë banorët aktualë dhe ish-banorët. Dhe qeveria keniane i kufizon refugjatët që të largohen nga kampi.

Riatdhesimi vullnetar

Për 30 vjet, shumë refugjatë kanë jetuar në kampe, të paaftë për t’u integruar në shoqërinë keniane për shkak të politikës së rreptë të kampingut të Kenias dhe të paaftë për t’u kthyer në Somali për shkak të pasigurisë.

Megjithatë, disa vendosën të rrezikojnë të gjitha dhe të kthehen në zonat në Somali që konsiderohen relativisht të sigurta, përfshirë Kismayon. Që nga viti 2014, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka ndihmuar më shumë se 80 mijë refugjatë somalezë për t’u kthyer në Somali.

Në Somali, ka akses të kufizuar në shërbimet bazë, duke përfshirë kujdesin shëndetësor. Më shumë se dy të tretat e 15 milionë njerëzve të vendit janë nën moshën 30 vjeç, por po aq prej tyre janë të papunë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Somalia ka një nga normat më të larta të papunësisë së të rinjve në nivel global.

Fener shprese

Në disa pjesë të vendit, të kthyerit formuan një rrjet ku lidhen dhe mbështesin njëri-tjetrin.

“Ka raste kur ne dominojmë takimet kombëtare të nivelit të lartë; disa prej nesh përfaqësojnë qeverinë dhe të tjerët përfaqësojnë agjencitë e OKB-së”, tha Farah. Më bën krenar të shoh shokët e mi të kthyer që bëjnë ndryshimin në Somali”.

Një nga ish-refugjatët më të shquar që shërbeu në qeveri ishte i ndjeri Abbas Abdullahi Siraji, i cili në vitin 2017 u bë ministri më i ri i kabinetit në historinë e Somalisë. Fatkeqësisht, ai vdiq në maj të atij viti pasi u qëllua për vdekje gabimisht nga një ushtar i Qeverisë.

Për të vazhduar trashëgiminë e tij, vëllai i tij Mohamud Siraji, i cili gjithashtu u rrit në kamp, ​​konkurroi për ta zëvendësuar atë në Parlamentin federal dhe fitoi. Mohamud u emërua më vonë si zëvendësministër i Punëve të Jashtme në administratën e afërt të kaluar.

Ata frymëzuan të rinjtë që të ktheheshin nga kampi dhe të ndihmonin në rindërtimin e vendit të tyre, thotë njëri prej tyre, Mohamed Osman Mohamed, i cili u kthye në Somali në vitin 2015.

“Abass ishte një frymëzim për të rinjtë somalezë në përgjithësi”, tha Mohamed i cili tani punon si drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve të shtetit jugperëndimor. “Por ai ishte veçanërisht një fener shprese për refugjatët nga Dadaab”.

Së bashku me ata të zhvendosur në diasporë, ish-refugjatët Dadaab në Somali po kontribuojnë me para për të ndihmuar ata që janë ende në Kenia.

“Ne kemi një ndjenjë detyre për të rindërtuar vendin tonë në mënyrë që ata refugjatë që lamë pas të mund të kthehen gjithashtu në vendin e tyre”, thotë Ali Mudey, i cili u kthye në vitin 2019 dhe punon me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët në kryeqytet. “Unë gjithashtu do të inkurajoja ata në diasporë që të bashkohen me ne që së bashku të mund të mbështesim qeverinë tonë për të përmbushur nevojat humanitare dhe zhvillimore të qytetarëve të saj”.

Për Farah, qëllimi është të sigurojë që Somalia të bëhet një vend më i mirë për të jetuar dhe që fëmijët e tij të kenë një shans më të mirë për të pasur sukses në jetë sesa ai në moshën e tyre.

“Nuk dua që fëmijët e mi të rriten në një kamp refugjatësh si unë”, tha ai për “Al Jazeera”. “Unë dua që ata të jetojnë një jetë dinjitoze në vendin e tyre ku të kenë qasje në arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor”.

“Dua t’ia kushtoj jetën dhe karrierën time vendit tim dhe të frymëzoj ata që janë ende në Dadaab të kthehen në shtëpi”, tha ai. /Al Jazeera

Përktheu: Forca Jashari/koha.net

Related posts

Mërgimtarët shqiptarë në Itali, shembull për organizim të jetës fetare

admin

Shërbeu 21 vjet në Policinë e Kosovës, togeri Besnik Leci jep dorëheqje shkaku i kushteve ekonomike

admin

Miodrag Lekiç caktohet mandatar për formimin e qeverisë së re në Malin e Zi

admin