Kryeministri Albin Kurti ripërsëriti të enjten se Kushtetuta dhe Pavarësia e Kosovës nuk lejojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një deklarim për media, kreu i ekzekutivit tha se ata që e kërkojnë Asociacionin duhet të tregojnë se pse nuk mjafton plani i Ahtisarit.
“Nuk mund të kërkosh Asociacion njëetnik e të mos tregosh se ku gaboi Ahtisari”, deklaroi Kurti, raporton Telegrafi.
Ai tutje u shpreh se ata që kërkojnë Asociacion njëetnik kërkojnë edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.
E sipas tij, për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë duhet të ndryshohet Kushtetuta e kësaj të fundit.
“Po insistohet në një asociacion njëetnik. Ne duhet të diskutojmë, mirëpo kushtetutshmëria dhe pavarësia e Kosovës nuk durojnë asociacion njëetnik. Kjo është shumë e qartë edhe për ata që nuk janë jurist. Unë jam për respektimin e të drejtave të pakicave, mirëpo asociacionet e komunave mbi baza etnike nuk duron kjo kushtetutë”.
“Ata që kërkojnë asociacion njëetnik kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, e unë mendoj se për normalizim të marrëdhënieve duhet të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë”, tha mes tjerash Kurti.
Teksa foli për takimin që zhvilloi të mërkurën mbrëma me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, ai tha se nuk do të tolerojnë që në këtë proces, Asociacioni të vihet si parakusht.
Sipas tij, asnjë nga 33 marrëveshjet e nënshkruara në dialogun e Brukselit nuk duhet të ketë prioritet hierarkik dhe se “10 nenet në planin evropian nuk tolerojnë që një nen nga fundi të sillet si i pari”.