RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vuçiq me Dodikun: Do të organizohet një takim i të gjitha “autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe RS-së

vuciq-me-dodikun:-do-te-organizohet-nje-takim-i-te-gjitha-“autoriteteve-shteterore”-te-serbise-dhe-rs-se

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë pas një takimi me Millorad Dodikun, presidentin e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republika Sërpska, që janë pajtuar për organizim të shpejtë të një takimi të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republikës Sërpska.

Sipas tij, takimi do të mbahet në territorin e Republikës Sërpska në Bosnje.

“E kam dëgjuar presidentin Dodik me vëmendje të madhe, lidhur me të gjitha zhvillimet në Republikën Sërpska dhe në Bosnje-Hercegovinë dhe jemi pajtuar që ta organizojmë një takim të të gjithë trupave shtetërore të Serbisë dhe Sërpskas, në territorin e Republikës Sërpska, sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar Vuçiq në një postim në Instagram më 20 korrik.

Çfarë i ka paraprirë takimit?

Takimi në mes të Dodikut dhe Vuçiqit zhvillohet në kohën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar ndaj Dodikut, kryesisht për shkak të deklaratave dhe veprimeve të institucioneve të këtij entitetit, që konsiderohen destabilizuese për shtetin e Bosnje-Hercegovinës.

Së fundi, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare.

Që deklaratat e Dodikut janë kundër perspektivës së anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Evropian, e ka thënë të mërkurën edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.

“Akti i largimit prej rendit kushtetues duhet të ndalet. Retorika përçarëse, kërcënimet për ndarje, kërcënimet ndaj integritetit territorial dhe madhërimi i kriminelëve të luftës duhet të ndalet, sepse nuk ka vend për diçka të tillë në Evropë”, ka thënë Borrelli në takimin e pestë të Këshillit për Stabilizim-Asociim, Bosnje-BE.

Veprimet e Dodikut i ka kritikuar edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një dëshmi të dhënë para anëtarëve të Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, më 18 korrik.

“Veprimet e vazhdueshme, përçarëse dhe jodemokratike kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.

Prej shpërthimit të krizës së fundit në Bosnje, presidenti Vuçiq kryesisht ka qëndruar anash, duke thënë se nuk dëshiron t’i komentojë zhvillimet atje. /rel

Related posts

Rama: Kosova e ka në tryezë ofertën më të mirë të mundshme, Serbia të detyrohet ta pranojë planin franko-gjerman

rezart morina

​Klinika e Pediatrisë e stërmbushur me pacientë, dy fëmijë të shtrirë në një shtrat

admin

​Pirja e duhanit në hapësirat e mbyllura, rreth 360 gjoba në muajin janar

rezart morina