Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar sot sërish në lidhje me planin franko-gjerman.
Kurti theksoi se këtë plan e shohin si bazë të mirë dhe se Serbia e ka refuzuar atë.
“Planin evropian të mbështetur nga Franca dhe Gjermani ne e kemi parë si bazë të mirë për bisedime, ndërsa Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit nacional të sigurisë në Beograd, të mbajtur me 27 tetor 2022, me vendim unanim”, tha Kurti kur u pyet se a është plani franko-gjerman i përafërt për marrëveshje finale.
Këtë deklarim Kurti e bëri pas përfundimit të takimit që pati sot me kryetarët e komunave në vend.
Gjatë këtij takimi, Kurti ka porositur kryetarët që të rrisin shërbimet ndaj qytetarëve.
Kreu i ekzekutivit u kërkoi kryetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe transparent me shpenzimin e buxhetit komunal.
“Duhet fokusuar që shpenzimi i këtij buxheti të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarit. Bashkë me ministrat kemi prezantuar buxhetin. Do të kemi rast të diskutojmë gjatë takimit, por edhe ju si komuna duhet ta shihni mundësinë se si mund të ndihmoni më tej në planin afatgjatë”, tha Kurti.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë gjithashtu se Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni dhe ka shtuar bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare.
Sipas Kurtit, vitin që shkoi është shënuar përmirësim i dukshëm i imazhit të Kosovës.