Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve në katër komunat veriore, të votojnë lirshëm në zgjedhjet e 23 prillit.
Gjatë seancës plenare në Kuvend, Kurti deklaroi se të gjithë votuesit pa dallim, do e kenë sigurinë dhe mbështetjen e shtetit.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve në katër komunat në veri, që të dalin dhe të votojnë lirshëm për kandidatët për kryetar të komunave atje. Është shumë e rëndësishme që atje qytetarët pa dallim, të dalin në zgjedhje. Do ta kenë shtetin mbështetje për këtë gjë dhe ne i bëjmë përgatitjet me krejt çka dimë e mundemi. A është situata sikurse në ndonjë komunë tjetër në Kosovë me shumicë shqiptare e njëjtë?, natyrisht që nuk është, ka dallim. Obstruksionet e Serbisë, janë atje më të mëdha në aspektin e informimit mediatik, por edhe të mbetjeve të strukturave paralele, të cilat janë trashëgimi e regjimit të Millosheviqit”, deklaroi Kurti para deputetëve.
Andaj, sa i përket shtetit të Kosovës, kryeministri Kurti tha se do jenë në ballë të detyrës, e njëherit kërkoi mbështetjen e të gjithë qytetarëve për të drejtën demokratike në katër komunat veriore.