RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kuvendi miraton ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë

kuvendi-miraton-ndryshimet-ne-kabinetin-qeveritar-te-shqiperise

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, të cilat u propozuan disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama.

Në seancën e sotme parlamentare janë votuar dekretet e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në lidhje me ndryshimet në Qeverinë e Shqipërisë.

Në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme është emëruar Igli Hasani, i cili ka zëvendësuar ministren e deritanishme Olta Xhaçka. Hasani ka mbajtur më parë postin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në misionin e OSBE-së në Vjenë si dhe ka shërbyer si Koordinator Ekonomiko-Ambiental i OSBE-së.

Albana Koçiu është emëruar në postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke zëvendësuar Ogerta Manastirliun, e cila është emëruar në postin e ministres së Arsimit dhe Sportit.

Në postin e ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është emëruar Anila Denaj, e cila ka zëvendësuar në këtë post ministren e deritanishme Frida Krifca.

Si ministër i shtetit për Pushtetin Vendor është emëruar Arbjan Mazniku, i cili më parë ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Kuvendi ka shkarkuar nga detyra ministren e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, ndërkohë ky post ministror nuk do të jetë më pjesë e qeverisë.

Gjatë seancës, është miratuar edhe vendimi për lirimin nga detyra të drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë Ervin Mete, i cili është propozuar për postin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, dekret që pritet të miratohet në vazhdim.

Kujtojmë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prezantoi më 4 shtator ndryshimet në kabinetin qeveritar të Shqipërisë, ndërkohë pas ceremonisë së betimit në Presidencën e Shqipërisë ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.

Related posts

Mbi 10 mijë punonjës të tre prodhuesve të mëdhenj amerikanë të makinave futen në grevë

Muhamet Ramadani

Osmani uron Berset për zgjedhjen Sekretar i Përgjithshëm i KiE

admin

Pakistan: Imran Khan thotë se ‘nuk ka dialog’ me krerët e ushtrisë

admin