RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Lituania rrit gatishmërinë ushtarake në kufirin me Bjellorusinë

lituania-rrit-gatishmerine-ushtarake-ne-kufirin-me-bjellorusine

Lituania, vend anëtar i NATO-s me një popullsi prej afro 3 milionë banorësh, po forcon sigurinë e saj në kufi mes rritjes së shqetësimeve të sigurisë të shkaktuara nga prania e mercenarëve të Grupit Wagner në Bjellurusi.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, vendet anëtare të NATO-s Polonia, Lituania dhe Letonia, fqinje me Bjellorusinë, kanë rritur aftësitë mbrojtëse në kufi.

Ruslanas, i cili nuk e tregon mbiemrin për arsye sigurie, është me njësinë e rojeve kufitare lituaneze dhe ka shërbyer në Irak dhe Afganistan. Ai po bëhet gati për të patrulluar kufirin. I pajisur mirë për të mbrojtur kufirin e NATO-s, ai thotë se detyra është e vështirë.

“Nuk është detyrë e lehtë dhe nuk është për të gjithë. Nuk kërkon vetëm anën fizike, por edhe atë mendore. Është mjaft e vështirë”.

Gjatë dy vjetëve të fundit, ai dhe kolegët e tij janë përballur me provokime nga Bjellorusia, përfshirë shkeljet kufitare, siç ishte vendimi i Bjellorusisë për të dërguar emigrantë të paligjshëm në Lituani.

“Ishim dëshmitarë, i pamë sesi i shtynë ata. Emigrantët thanë të njëjtat gjëra. Ata nuk i lejuan emigrantët të ktheheshin mbrapsht”, thotë për Zërin e Amerikës roja kufitare Ruslanas.

Pas mbërritjes së mercenarëve të Grupit Wagner në Bjellorusi, Lituania e përforcoi edhe më tej praninë e saj ushtarake në kufi. Ky gardh kufitar, me kamera vëzhgimi dhe sistem zbulimi gjatë natës, u ndërtua dy vjet më parë.

Autoritetet po përgatiten për kërcënime të tilla si infiltrimi i emigrantëve armiqësorë, shkëmbime zjarri në kufi, ose përsëritja e incidentit të helikopterëve bjellorusë që shkelën hapësirën ajrore polake.

“Mund të them se situata është e qëndrueshme, megjithatë, shumë e tensionuar, sepse Bjellorusia po merr pjesë aktive në agresionin kundër Ukrainës. Situata e sigurisë në rajonin tonë është shumë e tensionuar edhe për shkak të pranisë së mercenarëve të Grupit Wagner në Bjellorusi”, ka thënë komandanti i Gardës Kufitare të Lituanisë, Rustamas Liubajevas.

Ai thotë se lufta në Ukrainë ka ndikuar tek qasja e vendit të tij ndaj sigurisë kombëtare.

“Ka ndryshuar në mënyrë drastike. Publiku dhe organet ligjzbatuese po i kushtojnë më shumë vëmendje situatës së sigurisë. Nga këndvështrimi ynë, si roje të kufirit, ne filluam t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje çështjeve të sigurisë kombëtare. Roja kufitare u bë pjesë e forcave të mbrojtjes në rast konflikti ushtarak, në rast agresioni”.

Ai thotë se Lituania dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s në kufi me Bjellorusinë dhe Rusinë po bashkëpunojnë ngushtë në rast të provokimeve të mëtejshme.

Autoritetet po vëzhgojnë nga afër zonën Suwalki – një rrip toke që kalon 100 kilometra përgjatë kufirit polako-lituanez midis enklavës ruse të Kaliningradit dhe Bjellorusisë.

Polonia dhe tre shtete baltike kanë shpallur gjendjen e gatishmërisë së lartë në këtë zonë. Në ditët në vijim, Lituania ka në plan të mbyllë dy nga pikat e saj të kalimit kufitar me Bjellorusinë.

Kreu i rojës kufitare të Lituanisë i tha Zërit të Amerikës se nuk mendon se Bjellorusia, në koordinim me Kremlinin, është gati të nisë një luftë me NATO-n në të ardhmen. Megjithatë, lituanezët besojnë se duhet të jenë të gatshëm të përballen me çdo provokim të mundshëm. /koha

Related posts

Ambasadori britanik: Java e ardhshme shumë e rëndësishme për Kosovën

admin

VIDEO/ Asambleja hapi derën për anëtarësimin e Palestinës, ambasadori i Izraelit gris kartën e OKB-së

admin

Të paktën 50 mijë shtëpi të shembura nga tërmeti në Marok

rezart morina