Kryeministrja e re britanike ka nisur menjëherë nga puna për të lehtësuar peshën e inflacionit dhe krizës energjtike për anglezët. Ajo ka bërë gati një paketë 100 miliard paund që do t’i vijë në ndihmë shumë britanikëve për të përballuar faturat e rënda energjitike dhe po parashikon edhe indeksimin e rrogave krahasuar me inflacionin.
Liz Truss gati me planin antikrizë, 100 mld £ për të
Kryeministrja e re britanike Liz Truss ka bërë gati paketën financiare për të ndihmuar familjet britanike të përballojnë dimrin.
100 miliard paund ka bërë gati kabineti i ri britanik që qytetarët të mos tremben nga sfidat energjitike dhe ekonomike që kanë përballë këtë dimër.
Lufta në Ukrainë ka ndikuar që shumë vende të marrin masa për të përballuar inflacionin dhe një krizë të mundshme energjitike në muajt në vijim.
Ndër telefonatat e para të kryeministres së re britanike ka qenë ajo me presidentin amerikan Biden. Lufta në Ukrainë dhe sfidat e bashkëpunimit dypalësh në mbrojtje ishin temat kryesore.
Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, nxitur nga pushtimi i Ukrainës, ndikimi i pandemisë e COVID-19 dhe Brexitit, kanë rritur inflacionin në Mbretërinë e Bashkuar mbi 10%.
Kjo është hera e parë në katër dekadat e fundit që inflacioni është në përqindje kaq të lartë.
Banka e Anglisë parashikon se ai do të arrijë në 13.3% në tetor dhe se Mbretëria e Bashkuar do të rrëshqasë në një recesion të zgjatur deri në fund të vitit.
Grupe të ndryshme sindikalistësh, trenistët, stafet e porteve, mbledhësit e plehrave, punonjësit e postës dhe infermierët kanë organizuar greva për të kërkuar që rritja e pagave të jetë në ritmin e inflacionit. /oranews

