RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Marrakeshi i lashtë nuk e përballoi tërmetin

marrakeshi-i-lashte-nuk-e-perballoi-termetin

Xhamia e famshme e Marrakeshit “Koutoubia”, e ndërtuar në shekullin XII, është dëmtuar, por masa e dëmtimit ende nuk dihet. Minarja e saj me lartësi 69 metra njihet si “Kulmi i Marrakeshit”. Së paku 1 mijë e 37 persona kanë vdekur, shumica në Marrakesh dhe pesë provincat afër epiqendrës së tërmetit.

Tërmeti i rrallë dhe i fuqishëm ka goditur Marokun pak para mesnatës të premten. Njerëzit kanë kërcyer nga krevatet e shtëpive drejt rrugëve të errësuara teksa ndërtesat bëheshin rrafsh me tokë në fshatrat malore dhe qytetet e lashta që nuk ishin të ndërtuara për t’i bërë ballë forcës së tillë. Më shumë se 1 mijë persona janë konfirmuar të vdekur deri të shtunën dhe numri pritet të jetë edhe më i lartë, sepse ekipet e shpëtimit e kanë pasur të vështirë të kalojnë nëpër rrugët e ngushta të zonave që janë goditur më së shumti nga tërmeti.

Tërmeti me magnitudë 6.8-shkallësh, më i madh që ka goditur shtetin e Afrikës së Veriut në 120 vjetët e fundit, detyroi njerëzit të dilnin nga shtëpia në terror, teksa nuk mund të besonin se kjo po ndodhte në vendin e tyre. Një i mbijetuar ka thënë se pjatat dhe muret e shtëpisë po lëviznin tmerrësisht shumë dhe njerëzit rrëzoheshin. Përmasat e shkatërrimit janë parë në dritën e mëngjesit të së shtunës.

Dridhjet e tokës kanë shembur muret e gurit, të cilat nuk ishin të ndërtuara për t’i bërë ballë tërmetit. Komunitete të tëra kanë mbetur nën qiell të hapur. Të mbijetuarit kanë ecur nëpër rrënoja për shkak të rrugëve shumë të ngushta. Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë natës në kërkim të të mbijetuarve nëpër rrënojat e shtëpive të vjetra.

Tendat që zakonisht përdoren për festa në Marok, janë ngritur për të strehuar njerëzit në zonën malore të Moulay Brahim. Shtëpitë këtu janë me baltë dhe gurë. Baballarët thërrisnin të afërmit për t’ua kumtuar lajmin e kobshëm për humbjen e fëmijëve. Trupat e mbuluar me çarçafë të bardhë janë renditur në qendrën e shëndetit afër xhamisë.

“Nuk kam çfarë të bëj tjetër, veç të lutem”, thotë Hamza Lamghani, i cili ka humbur pesë shokët e tij të ngushtë.

Njerëzit kanë qëndruar nëpër rrugët e qytetit historik të Marrakeshit. Kishin frikë të ktheheshin nëpër shtëpi, për shkak se nuk ishin të qëndrueshme. Shumë prej tyre janë mbështjellë me batanije dhe kanë fjetur në qiell të hapur.

Xhamia e famshme e Marrakeshit “Koutoubia”, e ndërtuar në shekullin XII, është dëmtuar, por masa e dëmtimit ende nuk dihet. Minarja e saj me lartësi 69 metra njihet si “Kulmi i Marrakeshit”. Marokenët kanë publikuar video, në të cilat shiheshin muret e kuqe që rrethojnë qytetin e vjetër. Shumica e mureve janë rrënuar. Qyteti është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Së paku 1 mijë e 37 persona kanë vdekur, shumica në Marrakesh dhe pesë provincat afër epiqendrës së tërmetit. Më shumë se 1 mijë e 200 të tjerë janë lënduar. 721 prej tyre janë në gjendje kritike.

“Problemi është se në vendet ku tërmetet janë të rralla, ndërtesat thjesht nuk janë të ndërtuara për t’iu përballuar lëkundjeve të fuqishme të tokës. Për këtë arsye shumë prej tyre janë shembur dhe kemi numër të lartë të të vdekurve”, thotë Bill McGuire, profesor i gjeofizikës në Univeristy College London. “Pres që numri i të vdekurve të jetë me mijëra. Si në tërmet të madh, lëkundjet e më pastajme shkaktojnë vdekje të tjera dhe pamundësojnë kërkim-shpëtimin”. /koha

Related posts

Mehaj zhvilloi bisedë telefonike me gjeneralin Clark

admin

Osmani takohet me ambasadorin Hovenier, diskutohet sërish situata në veri

admin

Malajzia dënon fuqishëm sulmin e kolonëve ndaj xhamisë Al Aksa

rezart morina