Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë masën arrest me burg ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, transmeton Anadolu.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se kjo gjykatë në seancën e sotme ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të datës 21 gusht 2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke mos e ndryshuar masën e sigurisë për Belerin.
Avokatët e Belerit kishin kërkuar që ai të lirohej dhe të bënte betimin si kryebashkiak i ri i Himarës, pasi sipas tyre Beleri “po mbahet politikisht në burg”, ndërkohë që më 21 gusht një kërkesë e tillë u rrëzua, duke u lënë në fuqi edhe sot edhe nga apeli.
Të pranishëm për të ndjekur seancën e sotme kanë qenë edhe avokatë nga Greqia dhe përfaqësues të Ambasadës së Greqisë në Shqipëri.
Edhe në disa seanca të tjera, gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar kërkesat e Belerit për lirimin e tij, përfshirë edhe kërkesën për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit si kryebashkiak disa javë më parë.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka vendosur ta kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i cili akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Çështja ndaj Alfred Belerit
Më 12 maj, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale “korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues.
Sipas autoriteteve shqiptare, Beleri dyshohet për përfshirje në aktivitete të blerjes së votave.
Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe në Greqi.