Linja hekurudhore Al-Mashaaer Al-Mugaddassah Metro, e njohur si Metroja e Vendeve të Shenjta, ka nisur udhëtimet e para për sezonin e Haxhit 2026, duke lidhur Minan, Arafatin dhe Muzdelifen përmes nëntë stacioneve.
Sipas agjencisë saudite të lajmeve SPA, metroja u shërben haxhilerëve që lëvizin ndërmjet vendeve të shenjta dhe konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme të transportit gjatë sezonit të Haxhit.
Sistemi ka kapacitet të lartë transporti, ku çdo tren mund të bartë rreth 3,000 pasagjerë, ndërsa kapaciteti i përgjithshëm arrin deri në 72,000 pasagjerë në orë, duke e renditur ndër sistemet më të mëdha të transportit masiv në botë.
Për sezonin e sivjetmë, autoritetet synojnë të transportojnë mbi dy milionë haxhilerë përmes rreth 2,000 udhëtimeve të planifikuara.
Metroja është projektuar për të lehtësuar lëvizjen e haxhilerëve dhe për të reduktuar ngarkesën në rrugë. Sipas SPA-së, ajo mund të zëvendësojë më shumë se 50,000 udhëtime me autobusë gjatë sezonit të Haxhit, duke rritur efikasitetin e transportit.
Autoritetet saudite njoftuan se janë kryer të gjitha punët e mirëmbajtjes dhe përgatitjes për flotën prej 17 trenash, si dhe janë përmirësuar sistemet e sinjalizimit, komunikimit, qendra e kontrollit dhe stacionet, me qëllim garantimin e një transporti të sigurt dhe të besueshëm për haxhilerët.
Metroja e Vendeve të Shenjta është vënë në funksion që nga viti 2010 dhe luan një rol kyç në menaxhimin e fluksit të madh të besimtarëve gjatë Haxhit. /mesazhi

